Bushati: Ringritja ekonomike, nisma më e madhe e kësaj mazhorance

TIRANË, 27 maj /ATSH – I. Vata/ Deputeti i PS-së Ervin Bushati deklaroi sot se ringritja ekonomike duhet të jetë sfidë e kësaj mazhorance.

Në fjalën e tij në Kuvend, Bushati tha se “ringritja ekonomike është nisma më e madhe dhe më e rëndësishme që ka kjo mazhorancë pas një krize pandemie botërore që po kalon sot Shqipëria, ashtu si të gjithë fqinjët tanë. Ndaj gjithçka që ka marrë kjo qeverisje në këto muaj ka sjellë në një drejtim të një situate që sot është drejt përmirësimit”.

“Dje ka qenë dita e parë prej një viti që Shqipëria nuk ka pasur asnjë viktimë nga kjo sëmundje dhe patjetër hapat që duhet të ndërmerren në ekonomi, financa dhe në çdo drejtim tjetër për të ringritur ekonominë dhe shoqërinë duhet të jenë në sinkron të ndihmojnë dhe patjetër të parandalojnë çdo situatë tjetër e cila do të ishte tërësisht e papëlqyeshme. Në fakt në të gjithë botën, financimi i ekonomisë post-COVID është kthyer në synimin kryesor të çdo qeverisje. Në të gjithë vendet e botës, në të gjithë institucionet ndërkombëtare, FMN, BB, BE parashikojnë dhe stimulojnë në mënyrë që ekonomia nëpërmjet financimit të aktorit më të rëndësishëm në treg që është shteti, pra nëpërmjet financimit të ekonomisë nga entet publike të ndihmohet për t’u zhvilluar biznesi, ekonomia dhe familjet të cilat kanë nevojë”, tha ai

Po ashtu, Bushati tha se, “stimujt në ekonomi kanë qenë masive. Kështu duhet të jenë edhe në Shqipëri. Nëse sot në Europë, flitet për instrumente që shkojnë 15-20 % të PBB, financime të cilat ndihmojnë ringritjen ekonomike, ndihmojnë familjen, ndihmojnë biznesin, patjetër dhe Shqipëria duhet të fillojë të mendojë në këto dimensione, pa përmendur SHBA të cilat kanë parë ndërhyrje në vlera 3 trilionë dollarë, apo 25-30 % në raport me PBB. Edhe vende që janë në BE nëpërmjet instrumenti të financimit të Bashkimit Europian do të kenë ndërhyrje të tilla. Shqipëria duke mos qenë pjesë, patjetër që këto duhet t’i zgjidhë nëpërmjet daljes në tregjet ndërkombëtare. Unë mendoj dhe propozoj se një dalje në tregjet ndërkombëtare me një SPV, apo siç quhen apo eurobonde të destinuara për daljen nga pandemia duhet të jenë në një nivel 15 % në raport PBB, pra në një shifër 2.2 ose 2 miliardë euro dhe kjo duhet rishikuar sa më shpejt për të ndihmuar ekonominë, sepse kjo është koha për të ndërhyrë”.

“Kjo mazhorancë ka treguar se e ka vullnetin për të ndërhyrë, por një ndërhyrje e tillë e madhe financiare, patjetër që duhet të kryhet sa më shpejt. Fondet janë, interesi i parasë në treg është shumë i ulët, në disa zona është dhe negative dhe për të dalë me kredibilitetin që ne kemi, dhe kemi pasur një dalje shumë të mirë në mesin e pandemisë. Duke patur parasysh se fondet janë dhe instrumenta financiare janë dhe tregjet ndërkombëtare kanë nevojë për këto SPV, patjetër mund të ndryhet sa më shpejt”, tha ai.

Bushati tha se, “e dyta, që do të sillja në vëmendje është raporti i drejtë i taksimit të shoqërisë nëpërmjet TVSH apo taksimi i enteve të biznesit nëpërmjet taksave të korporatave. TVSH quhet zakonisht një taksë regresive dhe ajo sot është në një nivel të lartë dhe në qoftë se është një moment për t’u riparë dhe harmonizuar më taksën e biznesit e cila në fakt është më e ulët se taksa që paguajnë qytetarët në blerje fundore të mallrave mund të ketë një raport më të drejtë. Taksa e TVSH, tatimit të vlerës së shtuar në të gjitha teoritë ekonomike financiare quhet një taksë regresive, sepse godet atë që është blerësi apo konsumatori më i dobët në treg dhe në fakt nuk është e logjikshme se po ta marrë parasysh dhe të shikosh se TVSH që paguhet për floririn apo makinat e reja është e njëjtë me TVSH, paguhet për millin, vajin, sheqerin apo orizin. Pra patjetër që duhet të jetë sfidë e kësaj mazhorance riformatimi për një ringritjen e Shqipërisë në mandatin e tretë. Pra ka shumë punë për të bërë për të rikonstruktuar financat dhe ekonominë që të fillojnë dhe të marrin një drejtim më në fund, larg tranzicionit. Pra ndryshimi i raportit ndërmjet taksave, Tatim Fitimit, TVSH-së apo dhe dividentit, duhet harmonizuar në linjë, në nevojë, në ringritjen ekonomike në fokus, por gjithashtu duke patur në fokus se ne në ADN jemi një forcë e majtë. Prandaj, harmonizimi dhe sjellja të paktën në masa të barabarta i tatimit për biznesit, i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por që paguajnë qytetarët duhet të jetë të paktën nën nivelin e barabartë.

Ai shtoi se Shqipëria si çdo vend tjetër në Europë duhet të fillojë harmonizimin me BE dhe në ekonomi dhe në financa.

“Po të shikojmë, iniciativa më e madhe e BE-së është ekonomia me efekte zero ndaj ndryshimeve klimaterike. Fondet më të mëdha të BE-së në këto momente dhe strategjia më e madhe është në këtë drejtim, Shqipëria patjetër duhet të fillojë ta ketë në leksikun e saj, të fillojë ta përkthejë në ndërhyrje financiare dhe fiskale të një ekonomie me të ardhme të gjelbër. Shqipëria nuk është një ndotës i madh mjedisi, gati 100 % energjisë në Shqipëri është me mjete të rinovueshme, megjithatë ne duhet të synojmë drejt një përgjysmimi të emetimit të gazrave apo të dyoksidit të karbonit të paktën deri në vitin 2027. Pra që të jemi në linjë dhe mund të përfitojmë edhe nga të gjithë mjetet financiar që ka vënë në dispozicion BE për këtë arsye”, tha Bushati.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.