Nga aeroporti i Kukësit, te atraksionet turistike/ Gjici takim me ambasadoren Kim

TIRANË, 25 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici priti sot në një takim ambasadoren e SHBA- së në Tiranë, Yuri Kim.

Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë zyrtare të ambasadores në Kukës.

“Bashkëbiseduam për shumë tema ku sigurisht kryefjalë ishte Kukësi, mbështetja e vazhdueshme e Ambasadës amerikane përmes programeve të ndryshme, thellimi i këtij bashkëpunimi në të ardhmen do jetë prioriteti ynë”, tha Gjici.

“I tregova ambasadores Kim atraksionet që ofron territori i Bashkisë së Kukësit, vlerat natyrore dhe njerëzore, por mbi të gjitha bujarinë dhe mikpritjen e kuksianëve, të cilët e treguan në luftën e Kosovës, duke pritur në pranverën e 99-ës, 1 milion shqiptarë të Kosovës”, tha Gjici.

Në një prononcim për mediet, Gjici tha se në takim me ambasadoren Kim u prekën disa tema që i përkasin bashkisë Kukës.

“Diskutuam për aeroportin se çfarë zhvillimi dhe impakti do i jap bashkisë Kukës dhe jo vetëm. Ambasadorja ngeli shumë e kënaqur kur folëm për historinë e luftës së Kosovës dhe pritjes së kosovarëve në Kukës. Ajo do të bëjë një vizitë edhe te Pallati i Kulturës, që shumë projekte janë bërë me financimin e SHBA-së, po ashtu do të vizitojë edhe muzeun. Ne dolëm në ballkonin e bashkisë për të parë sheshin ku janë pritur 1 milion kosovarë. Diskutuam edhe disa tema të tjera. Ambasadorja do të vijë sërish në Kukës”, tha Gjici.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, njoftoi vizitën e ambasadores Kim në Kukës, duke theksuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara kontribuoi me 1.4 milionë dollarë në mbështetje të përgjigjes për COVID-19 në Shqipëri.

“Ambasadorja Kim vizitoi kopshtin Nr. 1 në Kukës sot, njëri nga disa prej kopshteve që po përdorin paketat e higjienës të shpërndara në kuadër të fushatës parandaluese për COVID-19 të UNICEF, për të cilën qeveria e Shteteve të Bashkuara kontribuoi me 1.4 milionë dollarë në mbështetje të përgjigjes për COVID-19 në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Këto paketa, të cilat përmbajnë pajisje pastrimi dhe dezinfektimi, po ndihmojnë në mbajtjen e fëmijëve shqiptarë të sigurt dhe të shëndetshëm”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.