Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ekspertët: COVID-19 do të jetë endemik

ROMË, 24 maj /ATSH-ANSA/ – Bota po hyn në një “epokë të pandemive”, deklaroi një panel prej 26 ekspertësh nga e gjithë bota në raportin e botuar në faqen e internetit të Komisionit Europian.

“Përpjekjet e sotme për të trajtuar COVID-19 duhet të përfshijnë investime dhe masa reagimi që kanë potencialin më të madh të mundshëm për përmirësim të qëndrueshëm në parandalimin, përfshirë investimet në burimet njerëzore dhe në trajnimin e tyre, gatishmërinë dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve globale të shëndetit”, thanë shkencëtarët.

“Trajektorja e mundshme për SarsCoV2 është të bëhet endemike, me shpërthime sezonale për shkak të rënies së imunitetit natyror, mbulimit të pamjaftueshëm të vaksinave globale dhe/ose shfaqjes së varianteve të reja që nuk kontrollohen nga vaksinat aktuale”, shtuan ata.

Sipas tyre, valët e reja epidemike janë të mundshme, sidomos në vendet me mbulim të ulët vaksinimi, prandaj ekspertët paralajmërojnë se “barazia globale në qasjen në burime, është njëkohësisht një domosdoshmëri morale dhe një nevojë kritike për kontrollin e pandemive”./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version