Rektori Hoxha: Sezoni i provimeve të semestrit të dytë në Universitetin e Tiranës, online

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Universiteti i Tiranës ka vendosur që provimet e semestrit të dytë do të zhvillohen online me të njëjtën procedurë që u realizuan edhe provimet e semestrit të parë të vitit akademik 2020-2021.

Studentët kanë kërkuar që ky vit akademik të mbyllet online, pavarësisht masave lehtësuese të Komitetit Teknik që lejoi kthimin në auditore për sezonin e provimeve.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, tha sot për mediet se “parimisht provimet në tërësinë e tyre do të zhvillohen online si në semestrin e parë, kurse ato programe që kanë specifikë do të kenë mundësi t’i zhvillojnë provimet në auditor”.

Sipas tij, mbyllja e semestrit do të jetë me disa konsultime që pedagogët dhe studentët do bien dakord për komunikim në auditor, por jo leksione në auditor.

Sezoni i provimeve në Universitetin e Tiranës nis pas datës 20 maj. Ky vit shkollor u zhvillua online për të gjithë studentët në vend për shkak të pandemisë COVID-19. Në Universitetin e Tiranës mbi 90 % e provimeve të semestrit të parë u zhvilluan në distancë, gjë që rezultoi me sukses me gjithë problematikat./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.