Prokuroria, e angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve

TIRANË, 20 maj /ATSH – I. Vata/ Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar sot mbi ecurinë e hetimeve të krimeve zgjedhore të 25 prillit.

Në njoftimin për mediet, bëhet me dije se në prokurori janë regjistruar gjithsej 47 vepra penale në lidhje me parregullsitë në zgjedhje,  prej të cilave kanë përfunduar 6 prej tyre.

Sipas prokurorisë, në këto 6 çështje të përfunduara, janë marrë nën hetim 4 persona, tre prej të cilëve i kanë kaluar SPAK-ut për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Përgjithshme:

Në vijim të masave administrative dhe procedurale të ndërmarra nga Prokurori i Përgjithshëm për të garantuar funksionimin normal të prokurorisë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, prokuroria është angazhuar për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve, në kompetencë lëndore të juridiksionit të përgjithshëm.

Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 18.05.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 47 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 6 prej tyre me 4 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 1 procedim me 1 të pandehur është dërguar për gjykim.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë në proces verifikimi paraprak, 41 njoftime për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Janë transferuar për kompetencë lëndore SPAK-ut 24 njoftime dhe është vendosur mosfillimi i procedimit penal për 20 njoftime për veprat penale si më poshtë:

Veprat penale në fushën e zgjedhjeve
Neni 325, Pengimi i subjekteve zgjedhore
Neni 326, Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve
Neni 326/a, Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor
Neni 327, Shkelja e fshehtësisë së votimit
Neni 327/a, Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar
Neni 328, Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Neni 328/a, Përdorimi i funksionit publik për veprimit politike ose zgjedhor
Neni 328/b, Korrupsioni pasiv në zgjedhje
Neni 329, Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje
Neni 330, Pengimi i zgjedhësit
Neni 330/a, Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve
Neni 331, Shkelja e të drejtës së zgjedhjes
Neni 331/a, Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit
Neni 332, Shpërdorimi i autoritetit ushtarak
Neni 332/a, Shpërdorimi i autoritetit policor
Neni 248, Shpërdorimi i detyrës në lidhje me aktet ligjore për zgjedhjet

Aktualisht po ndiqen penalisht për veprat e mësipërme 11 persona, janë arrestuar në flagrancë 5 persona dhe është kërkuar masa e sigurisë “arrest në burg” për 4 persona, prej të cilave është pranuar kërkesa për 3 persona.

Përgjatë kësaj periudhe, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë marrë në total 142 njoftime për vepra penale në fushën e zgjedhjeve, prej të cilave: 84 kallëzime në prokurori nga subjekteve politike apo kandidatë, shtetas apo institucione shtetërore; 21 referime të policisë gjyqësore dhe 37 ardhur me transferim nga SPAK. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.