Kukës/ Përmirësim i kushteve në kopshtet dhe çerdhet e qytetit

TIRANË, 20 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici ka vizituar kopshtin 1 në qytetin e Kukësit për të parë përmirësimin e kushteve nga kontributi i prindërve.

Ai tha se falë kontributit të shumë prindërve kushtet e vogëlushëve në kopshtet e qytetit po përmirësohen dita-ditës.

“Në kopshtin numër 1 pashë nga afër se si prindërit nga buxheti familjarë kanë krijuar kushtet për të vegjlit e tyre. Shpreh falenderime dhe mirënjohje të thellë  për prindërit kontribues, jo vetëm  në kopshtin numër 1, por dhe në kopshtet e tjera që ka bashkia jonë. Ndërkohë ftoj që prindërve kontributorë t’i bashkohen prindër të tjerë, biznese, organizata, institucione, pasi duke përmirësuar kushtet e vogëlushëve tanë, ne po kujdesemi që të përgatisim fëmijë me vlera të larta shoqërore”, shprehet Gjici.

Po ashtu, Gjici shtoi se “ne kemi një projekt të përbashkët me disa banka për përmirësimin e kushteve në kopshtet e bashkisë Kukës, sidomos çerdhes në lagjen 5 që është më problematikja dhe do ndërhyjmë me investime”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.