BRUKSEL – BE gjobit disa banka investimesh për pjesëmarrje në një kartel tregtie

BRUKSEL, 20 maj /ATSH-DPA/ – Komisioni Europian njoftoi sot gjobitjen e shtatë bankave investimesh, ndërmjet të cilave, Nomura, UBS dhe UniCredit, me një total prej 371 milionë eurosh për pjesëmarrjen në një kartel tregtar të bonove të qeverisë europiane.

Komisioni pretendoi se shtatë bankat e investimeve morën pjesë në një kartel përmes një grupi tregtarësh që punonin në tryezat e tyre të Qeverisë Europiane dhe që operonin në një rreth të mbyllur besimi.

Tregtarët shkëmbyen informacione të ndjeshme tregtare.

Ata informuan dhe përditësuan njëri-tjetrin në lidhje me çmimet dhe vëllimet e tyre të ofruara në prag të ankandeve dhe çmimet e treguara për klientët e tyre ose për tregun në përgjithësi.

Sjellja pjesërisht ndodhi gjatë krizës financiare dhe më konkretisht midis 2007 dhe 2011 dhe preku të gjithë Zonën Ekonomike Europiane.

Mbikëqyrësi i konkurrencës vuri në dukje se sjellja e shtatë bankave shkel rregullat e BE-së, që ndalojnë praktikat antikonkurruese të biznesit, të tilla si bashkëpunimi për çmimet./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.