Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA thirrje për bojkot diplomatik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit 2022

UASHINGTON, 19 maj /ATSH-DPA/ – Kryetarja e Dhomës amerikane të Përfaqësuesve, Nancy Pelosi bëri thirrje për një bojkot diplomatik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit 2022 në përgjigje të të dhënave të Kinës për të drejtat e njeriut.

“Ne nuk mund të vazhdojmë sikur gjithçka është në rregull nëse Lojërat Olimpike bëhen në Kinë”, i tha Pelosi Komisionit Ekzekutiv të Kongresit gjatë një seance dëgjimore me temë “Kina, Gjenocidi dhe Olimpiadat”.

Pelosi tha se ”ne nuk mund të vazhdojmë t’i japim Pekinit një çek të bardhë me shpresën se sjellja e tyre thjesht do të ndryshojë”.

“Çfarë autoriteti moral keni për të folur për të drejtat e njeriut përsëri kudo në botë nëse jeni të gatshëm t’i bëni homazhe qeverisë kineze ndërsa kryeni gjenocid?”, pyeti ajo.

SHBA akuzojnë Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht në trajtimin e pakicave ujgure dhe tibetiane dhe në shtypjen e forcave demokratike në Hong Kong. /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version