Agjencia Telegrafike Shqiptare

Roveri kinez transmeton imazhet e para pas uljes në Mars

PEKIN, 19 maj /ATSH-DPA/ – Pas zbarkimit me sukses në Mars në fundjavë, roveri kinez Zhurong transmetoi sot imazhet e para në Tokë.

“Të gjitha sistemet po funksiononin normalisht”, raportuan mediet shtetërore.

Njëra nga imazhet tregon roverin pak pasi kishte zbritur në Planetin e Kuq, ndërsa një tjetër tregon ndarjen e Zhurong nga anija kozmike Tianwen-1, sipas agjencisë hapësinore të Kinës.

Moduli i uljes preku sipërfaqen e Marsit të shtunën, duke e bërë Kinën vendin e dytë që zbarkon me sukses në fqinjin e Tokës.

Tianwen-1 u ngrit nga Toka më 23 korrik dhe arriti orbitën në shkurt.

Fluturimi ishte një nga më të vështirët që Kina ka ndërmarrë ndonjëherë.

Ulja ishte një sfidë e madhe, pasi Marsi ka atmosferën e tij, ndryshe nga Hëna.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, rover Zhurong, i quajtur sipas perëndisë kineze të zjarrit, do të hetojë Planetin e Kuq për të paktën tre muaj./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version