“Vaksinimi, një histori suksesi”/ Pipero: Sezoni turistik i qetë, qytetarët të vijojnë të respektojmë masat

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero deklaroi në një intervistë televizive se procesi i vaksinimit ka qenë një histori suksesi në vendin tonë dhe se ai beson se së shpejti do të lirohen masat nga Komiteti i Ekspertëve.

I pyetur se si po ndikon procesi i vaksinimit në kuadër të uljes së numrit të rasteve të infeksioneve, ai tha se, “procesi i vaksinimit në vendin tonë po ecën në mënyrë optimale. Janë vaksinuar rreth afërsisht 700 mijë qytetarë deri tani, mbi 200 mijë janë të vaksinuar edhe me dozën e dytë. Besoj fort që tashmë ne kemi marrë apo po përfitojmë edhe efektet e para pozitive të vaksinimit edhe në vendin tonë. Tashmë kemi përfituar apo po marrim rezultatet e para pozitive të vaksinimit edhe në vendin tonë”.

“Edhe në vendin tonë tashmë ne kemi përfituar apo po përfitojmë efektet vaksinimit, çka reflektohet me uljen e numrit të rasteve të reja të infektuara çdo ditë”, tha ai.

“Numri i tamponëve të marrë ka qenë relativisht optimal, apo relativisht i lartë. Përqindja e infektimeve apo përhapja e rasteve pozitive është tek 2-3 %, çka do të thotë një situatë totalisht në kontroll për momentin. Unë do ta konsideroja procesin e vaksinimit në vendin tonë një histori suksesi”, u shpreh Pipero.

“Unë besoj se ndoshta deri në fund të këtij muaji, ose maksimumi 10-ditëshin e parë të muajit që vjen ne do të arrijmë 1 milion të vaksinuar në Shqipëri. Do të kemi mbi 300-400 mijë të vaksinuar me dozën e dytë. Dhe krahas vaksinimit dhe ekspozimit të deritanishëm të qytetarëve ndaj COVID-19, besoj fort që në mesin e muajit qershor ne do të arrijmë atë që e quajmë ‘imuniteti komun’, apo ‘imuniteti kolektiv’, apo ‘komuniteti i grupit’”, tha Pipero.

Sa i përket masave antikovid që janë në fuqi, Pipero tha se, “jo vetëm ulja e rasteve të infektuara çdo ditë, por edhe ulja e numrit të shtrimeve të reja, ne tashmë kemi një shtrim në 2-3 ditë ndoshta, jo më shumë. Unë dhe kolegët e mi kemi dhe një indikator tjetër, atë që është telefoni, se pjesën më të madhe të pacientëve i kemi ndjekur online, unë kam 3-4 ditë që s’më bie më telefoni, pra asnjë rast të ri. Ka mbi 2-3 javë që kam pasur 1-2 raste në javë maksimumi. Pra këta janë të gjithë tregues të ecurisë pozitive të pandemisë në vendin tonë dhe kjo na bën të mendojmë apo dhe të inkurajojmë Komitetin e Ekspertëve që të rishikojë masat shtrënguese, pasi janë indikatorë shumë pozitivë, shumë optimalë për të na mundësuar lirimin nga masat shtrënguese, sikundër është vendosja apo mbajtja e maskës në mjediset e hapura, përjashtuar rastet kur ka grumbullime të qytetarëve për arsye të ndryshme dhe ku distanca është e pamundur të ruhet. Natyrisht qytetarët duhet doemos të respektojnë një lloj distance plus minus. Higjiena e duarve është mjaft e domosdoshme. Por maska mund të rezervohet për mjediset e mbyllura. Mendoj që ka ardhur koha që Komiteti Teknik i Ekspertëve ta shikojë mbajtjen e maskës në mjedise të hapura dhe besoj shumë shpejt ata do të na lirojnë nga kjo masë. Besoj që ndoshta, ndoshta nga fundi i muajit do të rishikohet edhe ora policore, pse jo edhe shërbimi për baret dhe restorantet”.

Pipero paralajmëroi se do të kemi një sezon turistik të qetë, pasi të gjitha indikatorët e dëshmojnë këtë, por duhet që të respektohen masat.

“Sigurisht që do të kemi një verë shumë të qetë, një sezon turistik shumë të qetë, pse jo. Të gjithë indikatorët e dëshmojnë, dhe na lejojnë të jemi të sigurt në këtë që po deklarojmë. Natyrisht duke pasur parasysh ato masa të kujdesshme, veçanërisht higjienën e duarve apo disa rregulla elementare, por të domosdoshme në zonat turistike, në restorante, në kafe e me radhë. Do jetë një verë mjaft e qetë në vendin tonë dhe besoj edhe për shkak të fillimit të sezonit turistik besoj se Komiteti i Ekspertëve shumë shpejt do të rishikojë masat për të mundësuar relaksim të tyre dhe t’u krijojë mundësi qytetarëve që të parashikojnë, planifikojnë dhe pse jo të fillojnë të pushojnë në mënyrë të qetë dhe të sigurt”, tha Pipero.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.