Skema kombëtare e mbështetjes në Bujqësi/ Sot afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njofton se sot (18 maj 2021) është afati i fundit për të gjithë fermerët që kanë aplikuar dhe gjenden mbi vijën e financimit për të dorëzuar dokumentet shtesë për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021.

AZHBR ka publikuar në faqen zyrtare listat e aplikimeve të kualifikuara, pas uljes së vijës së financimit për nëntë masat mbështetëse, financuar nga Programi Kombëtar i Mbështetjes në Bujqësi, viti 2021, ndërsa njofton se agropikat janë në gatishmëri për dhënie informacioni të aplikantëve të cilët janë brenda vijës së financimit.

Masat financiare mbështetëse

– 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.

– 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150,000 lekë për subjekt të mbarështimit të bletëve.

– 300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 200,000 lekë/ha, por jo më shumë se 1,000,000 lekë për fermerët individualë dhe për grup-fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim “SHBB”), jo më shumë se 4,000,000 lekë për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grupfermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.

– 100,000 lekë, në vitin e dytë, 150,000 lekë dhe 200,000 lekë për fermë të certifikuar organike, për periudhën në kalim, vitin e parë.

– 50 % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175,000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha për implementimin dhe certifikimin Global GAP.

– 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjektet në mbështetje për linja/makineri/pajisje për përpunimin, paketimin, standardizimin dhe etiketimin e ullirit, vajit të ullirit, bimëve mjekësore e aromatike dhe qumështit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjekt në mbështetje të ngritjes ose rikonstruksionit të ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10,000,000 lekë në mbështetje të subjekteve për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

“Afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për aplikantët që ndodhen mbi vijën e financimit është deri më datë 18.05.2021. Dorëzimi përtej këtij afati do të rezultojë me skualifikim të aplikimit”, thuhet në njoftimin e AZHBR.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, adreson një fondi prej 804 milionë lekë, subvencione për fermerët.

Mbi 13 mijë fermerë kanë aplikuar online në e-Albania për të qenë fitues të një prej 9 financimeve direkte të qeverisë në mbështetje të fermerëve në bujqësi e blegtori.

Skema mbështetëse për fermerët 2021 u shtri në të gjithë vendin, në datat 24 mars deri më 15 prill, e dyta me në fokus fermerët, pas skemës mbështetëse për naftë falas, nga e cila përfituan 20561 fermerë nga çdo cep i Shqipërisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.