Rruga Përmet-Çarshovë, shumë shpejt mundësi e re për shijuar mrekullitë e natyrës

TIRANË, 17 maj /ATSH/ Zonat me natyrë piktoreske që ofron Përmeti dhe fshatrat përreth tij do të jenë lehtësisht të arritshme, falë infrastrukturës që sa vjen e përmirësohet.
E tillë është rruga Përmet-Çarshovë, aktualisht një kantier i hapur, por që shumë shpejt do të kthehet në një mundësi të re për shijuar mrekullinë e natyrës përmetare falë projektit “Sistemim, asfaltim i rrugës Përmet-Çarshovë”.
Bashkia e Përmetit bën të ditur se projekti i financuar nga qeveria shqiptare dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e atraksioneve turistike dhe impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.

Rruga Përmet-Çarshovë është pjesë e segmentit rrugor Tepelenë-Përmet-Çarshovë, që lidh rrugën kryesore kombëtare SH4 (aksin rrugor Veri-Jug) me qytetin e Këlcyrës, Përmetit dhe Çarshovës dhe më tej me kufirin me Greqinë në Pikën Doganore të “Tre Urave”, por është edhe pjesë e segmentit rrugor Tepelenë-Korçë-Kapshticë. Segment ky shumë i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin e zonave ku kalon kjo rrugë, por edhe për transportin e mallrave nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas. Ky aks rrugor, pjesë e të cilës është edhe rruga Përmet-Çarshovë kalon nëpër disa qytete apo qendra administrative të rëndësishme si më poshtë: Këlcyrë, Përmet, Çarshovë, Leskovik, Ersekë, Korçë, Bilisht, Kapshticë.

Ndërhyrja synon përmirësimin e konjektivitetit rajonal dhe ndërkufitar dhe lehtësimin e aksesibilitetit drejt potencialeve turistike të rajonit të Përmetit, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të oportunitetit për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm rajonal.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.