Rrëzimi i kërkesës së PD-së/ Kaso: KAS vendosi standard të dyfishtë

TIRANË, 18 maj /ATSH – I. Vata/ Sekretari për Çështjet Zgjedhore të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka reaguar sot pasi KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD-së për marrjen e informacioneve shtesë nga institucionet dhe entet e tjera publike në mbështetje të ankimimeve të depozituara prej saj për 25 prillin.

Në një prononcim për mediet, Kaso tha se “është më e nevojshme se kurrë për të zbuluar dimensionin e plotë që ne e kemi quajtur masakër zgjedhore në zgjedhjet e 25 prillit pasi për shkak të provave që po merren në këtë proces, veçanërisht ato të kërkuara nga opozita dhe të marra me iniciativë të KAS, ditë pas dite po dëshmohen parregullsi dhe shkelje të ndryshme që e kanë karakterizuar këtë proces”.

“Prandaj kërkesa dhe nevoja për administrimin e të gjitha provave dhe veçanërisht ato të sjelljes së institucioneve në zgjedhjet e datës 25 prill, sot është ulëritëse dhe heshtja e KAS për marrjen e tyre, refuzimi i vendosur i KAS-it është një shkelje e çdo standardi zgjedhor e cila shkon në drejtim të kundërt me atë çfarë është interesi i qytetarëve shqiptarë sot. Interesi i qytetarëve është një dhe i qartë, që të kenë transparencë të plotë për atë çfarë ka ndodhur në procesin zgjedhor të zgjedhjeve të 25 prillit”, tha Kaso.

“Çdo veprim i KAS-it për të hedhur poshtë kërkesat tona të përsëritura për marrjen e këtyre provave thelbësore dhe të domosdoshme shkon në drejtim të kundërt me transparencën, interesin e qytetarëve shqiptarë për të mësuar vërtet se çfarë ka ndodhur në procesin zgjedhor që jemi duke e lënë pas. Aq më tepër sot, ku u vendos një standard i dyfishtë, ku vetë anëtarët e KAS artikuluan nevojën për të kryer hetim të plotë dhe të gjithanshëm për pretendimet e PS-së, lidhur me zgjedhësit që dyshohen se kanë votuar më shumë se një herë, dhe po nga ana e tyre me një vendimmarrje konsekuente për të tretën herë refuzuese, nuk është pranuar kërkesa e opozitës për të marrë prova të domosdoshme të cilat gjenden në disponibilitetin e institucioneve shtetërore”, tha ai.

Kaso shtoi se “ne do të vazhdojmë në rrugën tonë, do të vazhdojmë me kërkesat tona për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në zona të tjera zgjedhore të cilat i kemi çuar pranë KQZ-së”.

“Nuk do të reshtim së bëri publike faktet, provat, po dhe ato fillime provash apo indicie që ne disponojmë nga strukturat tona, por nga ana tjetër do të donim që institucioni që gjykon ekipet zgjedhore të ngrihej në lartësinë e detyrimeve të veta ligjore dhe të administronte çdo provë që ne e kemi sot të pamundur ta sigurojmë, ose na është refuzuar të na vihet në dispozicion nga institucione, të cilat qëllim të vetëm kanë fshehjen e sjelljes në kundërshtim flagrant me ligjin që kanë bërë për të përgatitur procesin zgjedhor të datës 25 prill”, përfundoi Kaso. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.