Pëllumbi: Meta vuri institucionin e Presidencës në shërbim të interesave ngushtësisht politike

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Deputeti i PS Arben Pëllumbi deklaroi sot në një intervistë televizive, duke folur për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta se, ai vuri institucionin e Presidencës në shërbim të qëllimeve dhe interesave ngushtësisht politike.

“Meta mund të jepte dorëheqjen nga president i Republikës, të dilte në krye të fushatës, të luftonte ballazi me ne. Kë të votonin më shumë aty ishte sheshi, aty ishte beteja. Por Presidenti i republikës nuk bëri këtë gjë. Ai zgjodhi të vërë institucionin e Presidencës në shërbim të qëllimeve dhe interesave ngushtësisht politike. Dhe e vuri shëmtuar”, u shpreh Pëllumbi.

“Që ditën e parë që Ilir Meta ka hyrë në zyrën e Presidentit të Republikës ajo marrëdhënie u pa që nuk do ishte e thjeshtë dhe filloi dalëngadalë deri në agravim”, tha Pëllumbi.

“Pavarësisht si do shkojnë gjërat, parlamenti ka në dorë votimin pro ose kundër të raportit që do nxjerrë komisioni hetimor. Qëndrimi i parlamentit është një qëndrim politik. Kemi Gjykatën Kushtetuese, për të ndarë qëndrimin politik nga ai juridik. Është Gjykata kushtetuese që do të mbajë apo rrëzojë vendimin e parlamentit. Në kushtet kur presidenti pati atë lloj sjelljeje është e detyrueshme për parlamentin të mbajë një qëndrim për këtë. Ka pasur apo nuk ka pasur pasoja veprimi i Presidentit”, u shpreh Pëllumbi.

Pëllumbi theksoi se, Presidenti ka shkelur edhe heshtjen zgjedhore.

“Presidenti ka një kornizë kushtetuese, sipas së cilës duhet të veprojë. Kreu i Shtetit ka nisur të dalë nga pozitat e tij kushtetuese, duke mbajtur qëndrime që cenojnë rëndë Kushtetutën e vendit dhe janë objekt për shkarkimin e tij. Meta shkeli edhe heshtjen zgjedhore”, përfundoi Pëllumbi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.