Nafta falas për Bujqësinë/ Klodiani nga Lushnja punon tokën me traktor me më pak kosto

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Të gjithë fermerët fitues të skemës së naftës falas për bujqësinë kanë tashmë mundësi të tërheqin sasinë e naftës në çdo pikë karburanti pranë vendbanimit të tyre.

Fermerët përfitues të kësaj skeme mbështetëse shprehen se po rrisin punimin e tokës me mekanikë bujqësore, duke reduktuar ndjeshëm kostot e tyre të prodhimit, e për pasojë duke ulur dhe çmimet për konsumatorin.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi solli shembullin e Klodian Lekës nga Çerma e Lushnjës, i cili me kartën e naftës pa taksa, që sapo ka përfituar nga skema, mund të punojë tokën me traktor me më pak kosto.

“Unë punoj bashkë me familjen time në bujqësi. Kemi blerë traktorë dhe punojmë tokat tona, por edhe të fermerëve të tjerë të zonës. Falë kartës së naftës falas, që na ka mundësuar shteti, pas kaq vitesh, që e kemi pasur ëndërr, po rrisim punën me mekanikë bujqësore dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, tha Klodiani. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.