Meta-Janša: Reformat e brendshme do ta përshpejtojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Presidenti Ilir Meta u prit sot në Ljubljanë në një takim të veçantë zyrtar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, të qëndrueshme dhe me ecuri pozitive ndër vite, në fushat politike, diplomatike, në sektorët e sigurisë e të mbrojtjes, veçanërisht në kuadrin e nismave rajonale.

Presidenti Meta falënderoi kryeministrin e Sllovenisë, Janša për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe shprehu besimin, që edhe gjatë Presidencës së ardhshme sllovene të Bashkimit Europian, ajo do të mbetet një avokate e integrimit të Shqipërisë dhe të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Sllovenia, në të gjitha rastet është rreshtuar ndër ato vende që kanë insistuar për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, – vuri në dukje kryeministri Janša gjatë bashkëbisedimit me presidentin Meta.

Të dy bashkëbiseduesit nënvizuan se përparësi e vendeve të Ballkanit Perëndimor është bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe thellimi i reformave të brendshme me qëllim final integrimin në Bashkimin Europian.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme reciprokisht nga të dyja palët dhe kërkoi që liberalizimi i vizave të Kosovës me Bashkimin Europian të bëhet sa më shpejt, si një vendim që ndihmon jo vetëm Kosovën, por edhe bashkëpunimin rajonal.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.