Komisioni Hetimor/ Presidenti një javë kohë për t’u paraqitur në seancë dëgjimore

TIRANË, 18 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë është mbledhur në pritje të seancës dëgjimore me Presidentin Meta, i cili nuk është paraqitur në seancë.

Pas marrjes së përgjigjes nga Presidenti i cili e ka cilësuar çdo kërkesë në kuadër të procesit hetimor të palegjitimuar, fiktive, jashtë çdo lloj afati, kryetari i Komisionit Hetimor Alket Hyseni propozoi t’i jepet kohë Presidentit.

Në fjalën e tij, Hyseni informoi anëtarët e Komisionit Hetimor me përgjigjen e Presidentit, i cili konteston legjitimitetin e Kuvendit. Ai theksoi se seanca nuk mund të zhvillohet sot dhe propozoi se për të mundësuar dëgjesën e Presidentit të Republikës në funksion të objektit të veprimtarisë së komisionit, në funksion të transparencës së opinionit publik, me qëllim për të  dëgjuar dhe palën tjetër e cila është në hetim sipas Kushtetutës, rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, por dhe si detyrim i këtij komisioni, që t’i niset një shkresë Presidentit ku t’i komunikohet se Komisioni është gati për ta dëgjuar që nga dita e sotme 18 maj, deri ditën e hënë, 24 maj.

“Le të zgjedhë Presidenti një nga këto data. Le t’ia japim këtë mundësi Presidentit”, tha Hyseni.

Anëtari i komisionit, Spartak Braho u shpreh dakord  me procedurën.

“Dua të di shkakun e vërtetë, të thuhet publikisht pse nuk vjen Presidenti. Më zuri veshi sikur thatë nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit. Nëse Presidenti nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, është puç, nuk është Republikë Parlamentare”, tha Braho.

Pas transmetimit të materialeve filmike, kryetari i komisionit Hyseni tha se do të ketë një seancë ku do të shqyrtohen provat.

Nga ana e tij, anëtari i komisionit Edmond Stojku tha se në deklarimet e Presidentit e ka shqetësuar reagimi për mosnjohjen e Parlamentit.

“Besoj se dhe deputetëve të Parlamentit dhe mua nuk na bëjnë përshtypje deklaratat e rënda të Presidentit, dhe njëkohësisht shpreh keqardhjen ndaj deklarimeve të Presidentit ndaj ambasadores Kim, SHBA-së. Pikërisht për këtë gjë unë çuditem, nuk më duket aspak normale që këto komente drejtohen dhe adresohen ndaj aleatit tonë të madh siç është SHBA”, tha ai.

Nga ana e saj, anëtarja e Komisionit Klotilda Bushka tha se referuar kërkesës së 49 kolegëve deputetë, një nga çështjet që ngrihet është dhe veprimtaria e Presidentit me kthimin e ligjeve me dekret.

“Duke qenë se është pjesë e kërkesës dhe duke iu përmbajtur planit të hetimit ku ne marrim informacion nga institucionet përkatëse në lidhje me objektin e hetimit, do u kërkoja shërbimeve të Kuvendit me një kërkesë nga Komisioni Hetimor, një raport me të gjitha ligjet e kthyera me dekret të Presidentit, sa nga këto janë rrëzuar, sa janë pranuar dhe doja një informacion të detajuar me ato ligje të cilat janë kthyer me dekret nga Presidenti, të cilat janë pjesë e planit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe cilat janë punuar me ekspertë të cilët janë financuar dhe mbështetur nga BE në kuadër të bashkëpunimin që ka Shqipëria me BE, sa i takon procesit të hartimit të legjislacionit dhe përafrimit të tij me BE. Ky informacion të na vihet në dispozicion brenda të premtes. Dhe periudha është viti 2020-2021”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.