KLP cakton drejtuesit e përkohshëm të prokurorive të Gjirokastrës dhe Korçës

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot kthimin e relacioneve në Komisionin e Zhvillimit të Karrierës, për ndërprerjen e caktimit të përkohshëm të Genti Xholit, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë dhe të  Anita Jellas, në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Vendimi për ndërprerjen e caktimit të përkohshëm do të bashkohet me vendimin për emërimin përfundimtar të dy kandidatëve për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë dhe kalon për seancën plenare të radhës.

Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi renditjen formale për vendin vakant të drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, të Genti Xholit (aktualisht i caktuar përkohësisht Drejtues në këtë prokurori) dhe të Anita Jellës (aktualisht e caktuar përkohësisht drejtuese në këtë prokurori) për vendin vakant të Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Parë, Durrës, pasi ata ishin të vetmit kandidatë, të cilët aplikuan për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë që në nisjen e procedurave ligjore.

Këshilli miratoi unanimisht shpalljen e fillimit të procedurave për plotësimin e 2 pozicioneve  vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe caktoi me short 2 anëtarët e Komisionit të Posaçëm, Eloida Goxhi nga radha e anëtarëve prokuror dhe Nurihan Seiti nga radha e anëtarëve joprokurorë.

Njoftimi i vendeve vakante si dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët do të publikohen në faqen zyrtare të institucionit. Kandidatët që plotësojnë kushtet e sipërpërmendura i paraqesin kërkesat e tyre jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga data e shpalljes së thirrjes në faqen zyrtare të Këshillit.

Këshilli vendosi miratimin e raporteve për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Elona Alvora, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë, Vlorë dhe të subjektit të rivlerësimit Isa Jata, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë. Një kopje e këtyre raporteve i dërgohet organeve të Vetingut dhe OMN-së.

Këshilli vendosi me shumicë votash, miratimin e raportit mbi verifikimin e pasurisë dhe figurës për prokurorin Artan Shtrungza, kandidat për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tropojë dhe ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokurorin Gentian Habazaj, kandidat për pozicionin e Drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Berat.

Me shumicë votash, Këshilli vendosi caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjirokastër të Julian Çafkës dhe caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, Korçë të  Ollga Visit.

Për shkak të shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit  (KPA) të drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, më 12 maj 2021, të Artan Madani, Këshilli vendosi unanimisht caktimin e përkohshëm në pozicionin e drejtuesit të  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë të Durim Bedinit prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kavajë. Caktimi i përkohshëm zgjat 3 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.