Javët e Europës 2021/ Autobusi i BE ndalon në Kamzë, 15 milionë euro për objektet arsimore

TIRANË, 18 maj /ATSH – I. Vata/ Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca deklaroi sot se 15 milion euro nga buxheti i përgjithshëm prej 75 milionë për rindërtimin, janë duke u investuar në objektet arsimore në Kamzë.

Autobuzi i “Javëve të Europës 2021” ndaloi në Kamzë, një nga qytetet shqiptare që përfiton më shumë nga programi “BE për shkollat”.

“15 milionë euro nga buxheti i përgjithshëm prej 75 milionë euro janë duke u investuar në objektet arsimore në Kamzë. Bashkimi Europian është krenar që kontribuon në arsimimin e brezit të ri”, shprehet Soreca.

Nisur që më 9 maj dhe deri të shtunën më 29 maj, Javët e Europës 2021, po festohen me një udhëtim 21-ditor nga Veriu në Jug të Shqipërisë për t’u takuar me qytetarët dhe për t’iu gëzuar veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë.

Programi i Javëve të Europës të këtij viti ka të bëjë me shkëmbimin me komunitetet vendore përmes një ekspozite lëvizëse rreth BE-së, politikave dhe vlerave të saj, ndihmës së saj financiare për Shqipërinë së bashku me Shtetet Anëtare të BE-së.

Temat kryesore përqendrohen te programet “BE për Shkollat”, “BE për Kulturën”, “BE për Inovacionin”, “BE për Bujqësinë” dhe Erasmus+. Një kombinim i argëtimit shqiptar dhe europian përmes muzikës, netëve të filmave të BE-së, si dhe dokumentarëve mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, do të shoqërojnë udhëtimin e delegacionit të BE-së, duke dëshmuar se: Europa është këtu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.