Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 37 miliardë lekë gjatë 4-mujorit të parë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Eksporti i tekstileve dhe këpucëve, që përbën një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ka shfaqur shenja rikuperimi gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti duke shënuar një rritje prej 6.6 %.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi llogariten 36.9 miliardë lekë gjatë 4-mujorit të parë të 2021-it nga 30.5 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Gjatë vitit 2020 eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me 2019-n për shkak të kufizimeve të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik pas vendosjes së masave shtrënguese për parandalimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Sipas INSTAT, gjatë 2020-s, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë“ llogariten 102.3 miliardë lekë nga 118.2 miliardë lekë që ishin në 2019-ën.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Nisur edhe nga kërkesat në rritje të tregut europian, ky sektor konsiderohet ende në zgjerim dhe në zhvillim. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.