Drejtoria e re rajonale e shërbimeve të transportit rrugor/ Kushte dinjitoze pune dhe shërbim cilësor për qytetarët

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor, DRSHTRR Tiranë, është shembull i transformimit të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve, sipas standardeve e modeleve më të mira.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i DRSHTRR-së, Blendi Gonxhe vizitoi sot ambientet dinjitoze të kësaj qendre, ku ofrohen shërbime pa radhë të gjata pritjeje dhe mbi të gjitha me kosto më e ulët e standard shumë herë më i lartë për të gjithë qytetarët.
Balluku tha se, “ky investim është një dëshmi kuptimplotë i dallimit mes asaj që gjetëm dhe asaj se çfarë kemi realizuar”.
Ndërsa Gonxhe bëri të ditur se, “falë investimeve kjo qendër ofron tashmë shërbim me një ndalesë, ku kryhen të gjitha procedurat e regjistrimit të makinave, vërtetimi i RSP, madje kryhen edhe kalimet e pronësisë së mjeteve, deri edhe pa noter”.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm që ne e kemi nisur që nga 2019, pas diskutimesh të gjata edhe me noterët në atë kohë, por sigurisht për ne ka prioritet qytetari dhe për sa kohë jemi brenda kushteve ligjore dhe i ofrojmë qytetarit shërbime më të shpejta dhe me çmime më të ulëta, sigurisht që kjo prevalon dhe ndaj ky shërbim i kalimit të pronësisë së mjeteve ofrohet me këto lehtësi tashmë në këtë qendër”, – tha Balluku.
Nga shërbimi i ndërrimit të xhamave të errët dhe targave, që ofrohen në këtë qendër  është krijuar një fond vjetor që kap shumën e 3 miliardë lekëve të vjetra, pjesë e konsiderueshme e së cilës shkon për investime të reja, në shërbim të gjithë qytetarëve.
Me ndërhyrjet dhe përmirësimet e bëra në këtë drejtori gjatë vitit të kaluar janë ofruar 767 078 shërbime për qytetarët. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.