Dita Ndërkombëtare e Muzeve/ “E ardhmja e muzeve: rimëkëmbja dhe përfytyrimi”, tema e këtij viti

TIRANË, 18 maj/ATSH/ “E ardhmja e Muzeve: Rimëkëmbja dhe përfytyrimi” është tema e këtij viti, me rastin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve.

Kjo datë është vendosur që prej vitit 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve – ICOM, që funksionon pranë UNESCO-s.

Muzetë, parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale të vendit janë mobilizuar për të ofruar një sërë aktivitetesh për publikun, nga nxënësit e shkollave e deri te qytetarët artdashës.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve është një mundësi më shumë për punonjësit e muzeve që përmes kontakteve me publikun e vizitorët të dëshmojnë përpara tyre sfidat me të cilat ndeshen muzetë në mënyrë që ato të mbeten ashtu siç e përcakton edhe ICOM “një institucion në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të saj”.

ICOM i fton të gjitha institucionet kulturore të gjitha tipologjive në të gjithë botën që t’i bashkohen Ditës Ndërkombëtare të Muzeve dhe të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj koleksioneve duke përdorur të gjitha lidhjet që i bashkojnë ato me komunitetet e tyre, peizazhin kulturor dhe mjedisin natyror.

Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeut (IMD) është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se, muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit reciprok, bashkëpunimit dhe paqes midis popujve.

Muzetë, parqet arkeologjike dhe kalatë në vendin tonë u vizituan gjatë vitit 2020 nga turistë vendas dhe të huaj, edhe pse ishte vit vështirë për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar monumentet e kulturës u vizituan nga 62 627 vizitorë, ndërsa u mblodhën 11,698,370 lekë të ardhura.

Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim në Dita Ndërkombëtare e Muzeumeve ka publikuar vizitën e saj në muzeun e Pavarësisë në Vlorë një vit më parë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeumeve. A e dinit se në Shtetet e Bashkuara janë 35,144 muzeume? Cilin do donit të vizitonit ju sot?”, shprehet ajo.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.