Miratohet projektligji “Për të huajt”/ Hodaj: Së bashku me ligjin për shtetësinë dhe azilin, disiplinon trajtimin e të huajve

TIRANË, 17 maj /ATSH/ Komisioni për Integrimin Europian, në drejtimin e nënkryetares, Senida Mesi, miratoi në mbledhjen e sotme projektligjin “Për të huajt”. Komisioni e shqyrtoi këtë projektligj në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi.

I pranishëm në mbledhjen e sotme për paraqitjen e projektligjit ishte zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj dhe drejtues të tjerë lartë të kësaj ministrie.

Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 10 maj, zëvendësministri Hodaj listoi për komisionin disa nga risitë e projektligjit.

Ai u shpreh se projektligji vjen si paketë e planifikuar nga Këshilli i Ministrave në Programin Analitik 2020, që së bashku me ligjin për shtetësinë dhe azilin, disiplinojnë trajtimin e të huajve në të gjitha aspektet.

Puna për projektligjin, sipas zëvendësministrit Hodaj, datonte prej majit të vitit 2020. Ligji, sipas zëvendësministrit, sjell rregullimin e regjimit të hyrjes, të qëndrimit, të punësimit dhe të daljes të të huajve në dhe nga Republika e Shqipërisë; përafrimin e legjislacionit për migracionin, me direktivat përkatëse të Bashkimit Europian; përmirësimin e fushës të të drejtave të të huajve, në drejtim të mbrojtjes së emigrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve; garantimin e hyrjes në programe dhe shërbime integrimi për të huajt; përmirësimin e  mekanizmave të nevojshëm për lëshimin e vizave elektronike online, etj.

Pas diskutimeve dhe sugjerimeve nga deputetët e pranishëm në komision, komisioni e miratoi projektligjin.

Në vijim të zbatimit të masave protokollare antikovid, edhe mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit, Cisco Webex. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.