GJENEVË – UNICEF: G7 dhe BE mund të dhurojnë mbi 150 milionë vaksina për Covax

GJENEVË, 17 maj /ATSH-AFP/ – Vendet e G7-s dhe anëtarët e BE-së do të jenë në gjendje të dhurojnë më shumë se 150 milionë doza të vaksinave antiCOVID-19 në vendet e paprivilegjuara, në një përpjekje për të kapërcyer pjesërisht pabarazinë e vaksinave përballë pandemisë, njoftoi sot UNICEF.

“Ky numër mund të arrihet nëse grupi i shtatë vendeve më të pasura në botë dhe anëtarët e Bashkimit Europian ndajnë vetëm 20% të vëllimeve në dispozicion në qershor, korrik dhe gusht”, sipas një studimi të kryer nga Airfinity, i specializuar në veçanti në analizën e të dhënave shkencore dhe që financohet nga dega britanike e Unicef.

“Dhe ata mund ta bëjnë këtë ndërsa përmbushin ende zotimet e tyre në drejtim të vaksinimit të popullsisë së tyre”, shtoi Henrietta Fore, drejtoresha e përgjithshme e agjencisë së KB-së.

Vaksinat antiCOVID-19 vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për mungesë të prodhimit dhe sistemi ndërkombëtar Covax është shumë larg arritjes së qëllimit për të siguruar imunizimin e 20% të popullsisë së vendeve pjesëmarrëse deri në fund të vitit./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.