Ristani: Basha po i çon demokratët nga humbja në humbje

TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata- “Rama po na e mund Lulin. Nuk mjafton që na e mund, por edhe na e tall”, shprehet ish-sekretari i përgjithshëm në PD, Arben Ristani.

Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Ristani shprehet se “demokratet kaluan 8 vite të vështira, plot sakrifica e vetëmohim. Tani kanë përpara edhe 4 vite të tjera që ju duhet të vazhdojnë betejën e tyre për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më demokratike”.

“Kaloi kaq shume kohë që demokrateve nuk ju qesh buza nga shija e fitores. Lideri i tyre po i çon nga humbja në humbje. Edhe një fitore që regjistron në historinë e tij, s’ka njeri që se di dhe se kujton si e mori. Me brekë nëpër këmbë”, thekson ai.

Po ashtu, Ristani shton se “Rama po na e mund Lulin. Nuk mjafton që na e mund, por edhe na e tall. Nuk mjafton qe na e mund e na e tall, por edhe e mbron që sa të jetë në krye të opozitës, të tallet edhe me gjithë të tjerët. Ramën e kemi kundërshtar, e dimë si mundet. Beteja brenda vetes është më e vështira dhe na mungon edhe përvoja për këtë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.