Kombëtarja U-17 / Miqësoret ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, trajneri Bulku shpall listën

TIRANË, 16 maj /ATSH – I. Vata- Kombëtarja shqiptare U-17 do të nisë ditën e hënë grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Bosnjë & Hercegovinës.

Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë ndeshjen e parë më 19 maj, duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, teksa dy ditë më vonë do të luajnë ndeshjen e dytë në Durrës, në stadiumin “Niko Dovana” në ora 10:00.

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-17, Ervin Bulku ka bërë ditën e sotme publike listën me 23 lojtarë të grumbulluar, të cilët aktivizohen në kampionate brenda dhe jashtë vendit.

Që kur ka marrë drejtimin e skuadrës, Bulku ka pasur mundësinë të zhvillojë tre seleksionime, duke mundur të shikojë nga afër vetëm gjendjen e lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, pasi për shkak të pandemisë Covid-19, ka qenë e pamundur për teknikun kuqezi të shohë ekipin e plotë edhe me lojtarët shqiptarë që grumbullohen jashtë vendit.

Në këtë grumbullim do të jenë të pranishëm 9 lojtarë, të cilët aktivizohen me klube europiane dhe jo vetëm.

Këto seleksionime dhe ndeshje miqësorë gjatë vitit do t’i shërbejnë trajnerit Bulku për të krijuar një ide përfundimtare në lidhje me grupin e Kombëtares, që do të përfaqësojë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022, ku kuqezinjtë do të përballen me Italinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.