DRSHTRR Fier dhe Lushnje, pas transformimit ofrojnë rreth 197,000 shërbime në vit

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Lushnjë dhe Fier, ofrojnë tashmë kushte moderne shërbimi për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje se si janë transformuar këto dy godina.

“Ja si janë transformuar zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, DRSHTRR, Fier dhe Lushnje, të cilat ofrojnë rreth 197,000 shërbime në vit, duke eliminuar radhët e gjata dhe shërbyer me shpejtësi e transparencë”, – thekson Rama.

DRSHTRR Fier është një investim i ri që ofron 197 mijë shërbime në vit për 42 mijë drejtues mjetesh, ndërsa janë 63 mijë mjete të regjistruara.

DRSHTRR Lushnje kryen 24 mijë shërbime në vit për 34 mijë drejtues mjetesh.

Godina e DRSHTRR Lushnjë gjendej në kushte të pamjaftueshme për të ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme. Investimi i ri në këtë godinë përfshiu sallë të re lejedrejtimi me 10 poste shërbimi, klasë e re e marrjes në provim me 25 poste për kandidatët dhe zyra shërbimi.

/k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.