Ndahet nga jeta Ahmet Golemi, pesë herë kampion i Shqipërisë për boks

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Ahmet Golemi, 5 herë kampion i Shqipërisë në boks dhe komentator është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Lajmin e ndërrimit nga jeta të Golemit e ka dhënë i biri i tij nëpërmjet rrjeteve sociale. Golemi, në vitin 1979 ai u dënua me 5 vite në burg, pasi festoi duke blerë një tortë, pas fitores legjendare të Cassius Clay, kundër George Foreman në 1974, në Kinshasa të Kongos.
Pas viteve 90′ ai kujtohet për komentimin e ndeshjeve të boksit dhe zërin e tij kumbues, duke qenë padyshim komentatori më i mirë i boksit në vend merituar çmimin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti.

 

Meta: Do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë

Presidenti Ilir Meta, e ka cilësuar të hidhur dhe të rëndë lajmi për ndarjen nga jeta të intelektualit të ringut, “Kasus Klejit shqiptar”, Ahmet Golemi.

“Pioner i boksit tonë profesionist, pesë herë kampion dhe katër herë nën-kampion, ai sfidoi në “duel” edhe vetë regjimin në emër të mbrojtjes së pasionit të tij, për t’u ringritur sërish më i fortë si shkrimtar i talentuar, gazetar dhe komentator i papërsëritshëm dhe shumë i dashur sportiv. Mjeshtri i Madh Ahmet Golemi do të mbetet një “universitet” për brezat e sportistëve të rinj shqiptarë, intelektual i rrallë dhe qytetar aktiv, roli i të cilit në çdo pozitë që luajti dhe mbajti, vështirë të zëvendësohet. Duke ndarë dhembjen e madhe dhe ngushëllimet më të ndjera me familjen e Tij, miqtë e kolegët, gjendem sot pranë tyre në këto momente të vështira. Pusho në paqe Mjeshtër! Përherë i paharruar kujtimi yt!”,-  shprehet Meta.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.