Korçë/ Terminali i ri i autobusëve vendos standard të ri për transportin e pasagjerëve


TIRANË, 15 maj/ATSH/ Terminali i ri i autobusëve në qytetin e Korçës ka një ndikim pozitiv në shërbimin për qytetarët dhe lehtëson lëvizjen e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky terminal, i cili ofron standarde të reja shërbimi për qytetarët.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të terminalit të ri të autobusëve, mikrobusëve dhe taksive në Korçë, që sjell një standard të ri për qytetarët, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Terminali i autobusëve në Korçë është një projekt madhor i cili vendos një standard të ri për transportin e udhëtarëve, një model bashkëkohor, me kushtet më të mira për mjetet dhe udhëtarët që i jep zgjidhje përfundimtare problemit të qëndrimit dhe shmang krijimin e trafikut në qytet.

Projekti i terminalit të ri, është i integruar me planin e ri urban të qytetit të Korçës. Ndërtimi i këtij terminali ndihmon në shpërndarjen e saktë të fluksit të autobusëve dhe të taksive, të cilat do të stacionohen aty pranë, duke evituar kalimin brenda në qytet.

I pozicionuar në pjesën veriperëndimore të qytetit terminali i ri ndodhet në një pozicion të favorshëm, pasi garanton lidhjen e qytetit të Korçës me kryeqytetin si dhe prek kryqëzimin me fluksin më të lartë të lëvizjeve automobilistike./m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.