Teste vlerësimi për klasat 1-11/ Vrapi: Mësuesit do kontrollojnë boshllëqet dhe do kryejnë përsëritje të mësimeve

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rozana Vrapi tha sot se po përgatitet një set testesh vlerësimi nga klasa e 1-11, për t’u ardhur në ndihmë mësuesve në mënyrë që ata të kontrollojnë boshllëqet te nxënësit.

Duke folur për procesin mësimor gjatë kohës së pandemisë dhe vështirësitë që kanë hasur nxënësit gjatë kësaj periudhe, Vrapi theksoi se, “me anë të këtyre testeve kur të vijë viti tjetër do të krijohen strategji që ato që quhen koncepte bazë në nxënien e një fëmije, vitin tjetër të ripërsëriten, të ribëhen në një aspekt shumë më të thelluar sesa u bë në kushtet e pandemisë”.

Më tej Vrapi tha se, “vështirësia ka filluar që vitin e kaluar, që prej tërmetit, ku pati një periudhë që u ndërpre mësimi. Më pas ndodhi edhe pandemia dhe maturantët e këtij viti e kanë filluar që vjet sfidën. Është rreth një vit e gjysmë vit akademik që ata po përballen me një të mësuar, që nuk është në kushte normale. Kjo ka krijuar vështirësi, pasi të mësuarit në klasë ka tjetër natyrë në krahasim me të mësuarin përmes një ekrani. Në klasë ka ndërveprim dhe punojnë në grupe, si dhe ka dialog, që në mësimin online kjo gjë mungon”.

“Për këto mosha qoftë për arsimin 9-vjeçar, dhe atë të mesëm vështirësitë kanë qenë të mëdha. Jo vetëm maturantët në Shqipëri, por e gjithë bota ka pasur vështirësi”, shtoi ajo.

Sipas Vrapit, kjo situatë ka krijuar boshllëqe, që nga procesi i të nxënit, mënyra se si mund ta kenë ndjekur, jo të gjithë kanë pasur mundësi ta ndjekin në mënyrë të vazhdueshme.

Duke folur për provimet e Maturës, Vrapi u shpreh se “notat që do të marrin nxënësit në provimet e Maturës do i vënë vulën asaj që do të jetë rrugëtimi i tyre. Nota e Maturës është e rëndësishme dhe për një pjesë të tyre kthehet në nivel shqetësimi, ankthi, pasi në disa degë kuotat janë të kufizuara dhe kërkesa është shumë e madhe. Kjo përbën një sfidë për ta në Maturën Shtetërore”.

/k.s/r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.