Mbrojtja e territorit nga ndërtimet pa leje, tek prekja e pyjeve/ Kontroll absolut nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot duke folur gjatë një aktiviteti për mbrojtjen e territorit dhe zbatimin rigoroz të Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore se, “sot ne jemi këtu për të vënë një theks shumë të fortë tek domosdoshmëria e kalimit në një fazë tjetër të përpjekjes së përbashkët për të vendosur kontroll absolut mbi territorin në aspektin e mbrojtjes së tij nga ndërhyrjet dhe aktivitetet e paligjshme”.

“Qëllimi kryesor është për të rritur sa më shumë dhe sa më shpejt vetëdijen e strukturave të Policisë së Shtetit në radhë të parë, në raport me këtë aspekt kaq të rëndësishëm të qeverisjes dhe të detyrimeve që ka shteti ndaj vendit dhe qytetarëve”, theksoi Rama.

“E vërteta është që vazhdojmë të jemi në një fazë konfuzioni mes institucioneve dhe mungese ndërveprimi konstant të orientuar dhe të suksesshëm, gjë që sigurisht kërkon nga njëra anë një mbështetje të plotë në aspektin ligjor. Dhe këtë tanimë e kemi garantuar me ndërhyrjet e fundit që janë bërë, qoftë në Kodin Penal, qoftë në ligjin për disiplinimin e ndërtimeve. Dhe nga ana tjetër, kërkon një paketë të re aktesh nënligjore, ku të gjitha përgjegjësitë dhe ndërveprimet që pasojnë të jenë të qarta për të gjithë”, nënvizoi Rama.

“Është shumë, shumë, e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë këtu në radhë të parë, por patjetër edhe nga të gjithë aktorët e tjerë që kanë përgjegjësi në këtë aspect, se çdo ndërtim pa leje sot rrit në mënyrë të ndjeshme kostot e përbashkëta nesër. Duke cënuar pronën publike apo private, duke cënuar planet e zhvillimit, duke cenuar buxhetin e shtetit, pasi vetiu kthehet në një çështje sociale apo në një çështje financiare si rezultat i inercisë së një procesi legalizimesh, që përndryshe nuk ka për të përfunduar kurrë në rast se nuk vihet përfundimisht pika në fund”, theksoi Rama.

“Nga ana tjetër”, shtoi Rama, “kemi ndërtimet me leje që bëhen vatra abuzimi, ku mbi lejen e dhënë ndërtohen volume të tjera dhe krijohen deformime të mëdha përsëri me kosto për komunitetin, me kosto për zhvillimin, me kosto për të ardhmen”.

Krimet ndaj territorit/ Policia e Shtetit, mburojë e Shqipërisë në të 28 mijë km2 të saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë e Republikës së Shqipërisë në të 28 mijë km2 të saj në raport me krimet ndaj territorit.

“Që Policia e Shtetit e ka kapacitetin ta kontrollojë çdo centimetër territorin, këtë e tregon vetëm një fakt shumë i thjeshtë, një fakt sa i thjeshtëm, aq edhe sëkëlldisës për hir të së vërtetës, që kur vjen puna për një mur, për një çati, për një avlli, në fund të botës, në zona rurale të thella gjendet polici që i shkon atje dhe që i kërkon llogari një fshatari. Ndërsa kur vjen puna për abuzime flagrante në zona turistike në buzë të rrugës, që nga Velipoja deri në Sarandë, atëherë çuditërisht nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm. Ju e kuptoni shumë mirë pse-në e këtij kontrasti”, u shpreh Rama.

Por, theksoi Rama, “ajo që na intereson sot, nuk është të merremi me këtë aspekt, por është të fokusohemi tek fakti që Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë e Republikës së Shqipërisë në të 28 mijë km2 të saj në raport me këtë krim që është i sanksionuar si i tillë në ligjet tona dhe në raport me të gjithë larminë e krimeve ndaj mjedisit”.

“Natyrisht që eksperienca e krijuar në këtë periudhë  është e madhe dhe unë jam i bindur që mbi bazën e kësaj eksperience, qoftë në strukturat e Policisë, në drejtuesit e Policisë, qoftë në strukturat e Inspektoratit apo të Inspektorateve, janë në gjendje plotësisht të japin idetë e tyre dhe të shtrojnë hapur dhe qartë problematikat e tyre për të hartuar sa më mirë dhe sa më shpejt të gjithë atë paketë aktesh rregullatorë mbi të cilat duhet të funksionojë kjo fazë e re, ku siç e tha edhe Ministri i Brendshëm, çdo krim ndaj territorit duhet të jetë për Policinë e Shtetit i barazvlefshëm me çdo aspekt tjetër prioritar të luftës së saj, që nga krimi i organizuar tek korrupsioni dhe tek trafiku i lëndëve narkotike. Njësoj”, tha Rama.

Kjo, theksoi kreu i qeverisë, “duhet përcjellë në të gjithë strukturën e Policisë së Shtetit. Është e pamundur që të vazhdojë të tolerohet një situatë e tillë, ku në komisariatet  me veprimtarinë më të madhe ndërtimore të vendit të mos ketë pothuajse asnjë rast marrjesh përgjegjësish ligjore nga ana e atyre që kanë detyrimin të ndjekin këtë aktivitet në territor”.

Zonat turistike, drita e syve për Shqipërinë, baza e zhvillimit në funksion të së ardhmes

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “zonat turistike janë si drita e syve për Shqipërinë. Janë baza e zhvillimit në funksion të së ardhmes. Ne nuk mund të vazhdojmë të pranojmë inercinë e një kontrolli, që natyrisht nëse kthejmë kokën mbrapa në raport me 6-7 vite më parë, as nuk ka të krahasuar që të jemi të qartë, por që nëse shohim në funksion të së ardhmes është i papranueshëm për nga dobësia”.

“Po ashtu zonat e mbrojtura. Po ashtu në rrugët kombëtare. Nuk e di se kush ndër ju ma shpjegon dot që ndërkohë që kemi një detyrim, apo keni më saktë, një detyrim sa i përket qarkullimit rrugor në Republikën e Shqipërisë, përsa i përket parandalimit të aksidenteve, rrugët kombëtar në segmente të caktuara të jenë haptazi, qartazi, zona me rrezik të lartë për shkak se në anë të tyre zhvillohen aktivitete pa asnjë lloj respekti për një mbrojtje minimale të atyre që qarkullojnë”, tha Rama.

“Në anë të rrugëve kombëtare vazhdon të ketë zona më pak se më parë, e përsëris, por përsëri vazhdon të ketë zona, mes aktivitetit X të licencuar apo të lejuar me leje kundër ligjit prej vitesh e vitesh më parë, një gjë e trashëguar që ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë sot, përveç se duke hapur akse të reja. Dhe aksit rrugor ku vendosen materiale ndërtimi, varreza makinash, fidanishte, lavamanë, vaska dhe asnjë lloj respekti për sigurinë rrugore, për mjedisin dhe për imazhin e kësaj Shqipërie turistike”, theksoi Rama.

“Është e patolerueshme kjo të bëhen shitblerje, aktivitet shitblerjeje në anë të rrugës nga dikush që ka një biznes aty dhe vendos traktorë, ekskavatorë, motorë dhe aty – kryqëzim, hyjnë dhe dalin njerëzit për tregti. Kjo duhet të jetë e papranueshme, e palejueshme dhe patjetër, si e palejueshme e dënueshme për të gjithë ato biznese që nëse kanë një leje për të pasur një magazinë apo për të pasur një godinë në shkelje të atij neni shumë të qartë të Kodit që ndalon çdo lloj leje ndërtimi 20 metra nga rruga, gjë që është bërë masivisht në të shkuarën, të paktën duhet të respektojnë për aq sa është e lejueshme aty në hapësirë, pjesën tjetër, pjesën e detyrimeve që ka shteti për të garantuar sigurinë në qarkullim. Dhe detyrimin e përbashkët që kemi për të krijuar brenda mundësive një imazh sa më të kulturuar dhe sa më higjenik të këtij vendi që e quajmë turistik”, tha Rama.

Por, shtoi ai, “nëse kjo nuk bëhet pjesë e horizontit dhe e mendësisë së drejtuesve të qarkullimit rrugor në Republikën e Shqipërisë, është betejë e humbur, sepse janë ata të parët, sipas zonave dhe segmenteve”.

Aty ku hidhet beton pa leje do të ketë jo vetëm prishje, por edhe ndalime dhe procese penale

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se Policia e Shtetit mund të transformojë brenda një periudhe shumë të shkurtër qasjen e krejt shtetit ndaj territorit dhe mund të bëhet jo vetëm forca mbrojtëse e pakapërcyeshme në raport me shkelësit, por edhe forca e domosdoshme e influencës pozitive mbi të gjitha strukturat e tjera, duke nisur nga IKMT, e cila ka përballuar një volum të madh pune, por nuk duhet të qëndrojë në territor.

IKMT, tha ai, duhet të jetë një strukturë që vepron mbi bazë plani të miratuar nga ministri i Brendshëm dhe reagon në kohë reale mbi bazë të kërkesave të Policisë së Shtetit.

“Nuk është inspektori i IKMT-së që do të ndalojë ata që ndërtojnë pa leje, IMT është një strukturë speciale që i rri gati Policisë së Shtetit në momentin që e konstaton krimin në flagrancë. Por flagrancën e ka Policia e Shtetit, se përndryshe procesi degjeneron. Procesi duhet të jetë milimetrik.Çdo komisariat ka zonën e vet dhe mbi këtë bazë përgjigjen të gjithë“, u shpreh Rama.

Rama tha se Policia i ka kapacitetet për të kontrolluar territorin, pasi është po kjo Polici Shteti që bëri të mundur edhe kontrollin për mbjelljen e kanabisit në vend.

“Se nuk bëhet fjalë për fusha të mbjella në male, por për ndërtime në rërë, në sytë e të gjithëve. Pse u bëka për një fshatar në majë të malit dhe jo për ata që ndërtojnë buzë detit?!” – u shpreh Kryeministri.

Patjetër, u shpreh Kryeministri, që në këtë proces Policia e Shtetit ka përgjegjësinë kryesore, por nuk është e vetmja që duhet të marrë të gjithë përgjegjësinë, sepse duhet harmonizuar me institucionet e tjera.

“Por nëse Policia e merr përgjegjësinë e saj të plotë dhe vepron me sy hapur e me sistematicitet në të gjithë territorin atëherë edhe institucionet e tjera do të jenë shumë më të pamundësuara për të mbyllur sytë“, vuri në dukje Rama.

Kryeministri theksoi se, “lejet e ndërtimit do t’i vihen në dispozicion Policisë së Shtetit për të patur qartësi të menjëhershme se çfarë aktiviteti është i lejuar në secilën zonë, nga zonat turistike, ato të mbrojtura, trashëgimisë kulturore e qytetet, pa shkuar e për t’u hallakatur në maja malesh ku një fshatar rregullon një mur apo një çati”.

Sepse, vijoi Rama, numri i ankesave që vijnë nga pjesët më rurale të Shqipërisë për prani të policisë tregon që kapaciteti i vrojtimit dhe i goditjes ekziston, por nga ana tjetër fatkeqësisht tregon se është një kapacitet që shfrytëzohet 100 % për të goditur më të dobëtit dhe larg 100 % për të goditur më të fortit.

Kryeministri solli në vëmendje pikërisht Velipojën, ku theksoi se është ndërtuar jo vetëm në brendësi, por edhe mbi rërë.

”Nuk mund të lejohet asnjë milimetër i këtij vendi që të shfrytëzohet pa leje, pasi nuk është Kina, por një vend i vogël për t’u abuzuar. Është e pamundur të kryhet një ndërtim pa leje, një ndërhyrje në det në mes të Sarandës, të hidhen gurë e mbushet me gurë deti dhe kjo të ndodhë pa vajtur këmbë polici. Të vijë puna deri te unë dhe pasi të ndërhyj unë, për 24 orë të pastrohet gjithçka. Kjo është e papranueshme, sepse tregon se mund të ishte parandaluar. Kush e mban përgjegjësinë që nuk është bërë? Policia e Shtetit duhet të jetë rigoroze me vetveten dhe nuk duhet të lejojë që disa individë të njollosin reputacion e saj e detyrimisht të shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas Kryeministrit, këtu edhe shërbimi i çështjeve të brendshme ka një rol, pasi kjo nuk është as indiferencë e as mungesë aftësie, por korrupsion në kurriz të një vendi të tërë.

Kryeministri theksoi se i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm dhe atij të Turizmit të hartohet dhe niset një aksion nga Velipoja, deri në Ksamil.

“Tani, jo në mesin e verës kur nisin turistët, pa asnjë tolerancë, dhe jo për ndërtimet që kanë mbi 20 vite dhe ata njerëz hanë bukë aty dhe për sa kohë s’ka një zhvillim tjetër, si në rastin e Zvërnecit, por duke shkuar e vendosur një vijë të kuqe që s’duhet të shkelet më“, deklaroi Rama.

Rama tha se aty ku hidhet beton pa lejë do të ketë jo vetëm prishje, por edhe ndalime dhe procese penale në bazë të ligjit dhe ndryshimeve të reja ligjore që janë bërë për këtë punë.

“Tani me ndryshimet ligjore penalizohet i gjithë zinxhiri. Nuk lejon më ligji që inxhinieri konstruktor ti bëjë investitorit ndryshime projekti për të shtuar volume. Në momentin që e konstaton duhet të denoncojë në polici. Po kështu edhe arkitekti dhe mbikëqyrësi i punimeve, sepse është edhe ai pjesë“, u shpreh Rama.

Sipas tij, në të gjitha rastet kur në ndërtimet me leje konstatohet abuzim është detyrë e policisë të procedojë për të gjithë këta, sepse janë pjesëmarrës në krim.

Kryeministri po ashtu u shpreh se nuk do të jetë më shteti që do të përballojë koston e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të territorit, por do të jetë pikërisht ai që ka kryer këtë ndërtim që do të marrë përsipër kostot.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.