Kushi takon fituesit shqiptarë të Kampionatit Ballkanik të Boksit: Rrisim mbështetjen ndaj sportistëve elitarë

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka zhvilluar një takim sot me përfaqësues të ekipit tonë kombëtar të boksit, të cilët kanë triumfuar me medalje ari dhe argjendi në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Kroaci javën e kaluar.

Gjatë takimit Kushi tha se “sportistët tanë vijojnë sërish të na bëjnë krenarë me rezultate të larta në garat ndërkombëtare”.

“Sot në ambientet e MASR urova nga afër Albanin, Indritin, Krenarin dhe Rexhildon për rezultatet e tyre dhe diskutuam gjerësisht për nevojat kryesore që duhet t’i adresojmë në vijim”, shprehet Kushi.

Ministrja Kushi nënvizon se “sportistët tanë vijojnë sërish të na bëjnë krenarë me rezultate të larta në garat ndërkombëtare duke dëshmuar se janë ambasadorë të shkëlqyer në përfaqësimin e Shqipërisë nëpër botë”.

Boksierët shqiptarë kanë shkëlqyer sërish me dy medalje ari dhe tre argjendi në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Kroaci./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.