Zgjedhjet e 25 prillit/ PD: Nga 19 kërkesa në KAS, shumica u refuzua

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Partia Demokratike me anë të një njoftimi për shtyp bëri të ditur se “paraqiti sot në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve prova që faktojnë shkeljen e ligjit nga PS në atë masë, sa zgjedhjet duhet të përsëriten në 9 qarqe”.

Ndër to sipas PD përfshihen, “blerje masive e votës nëpërmjet individëve me rekorde kriminale; Mbi 10 mijë leje legalizimi; Më shumë se 13.000 punonjës të rinj në administratë qendrore; 63 milionë euro paga shtesë; Rreth 2.5 milionë euro ndihma ekonomike; Me shume së 125 milionë euro pagesa për tërmetin; Rreth 83 mijë fletë votimi të pavlefshme; Rreth 523 mijë qytetarë pa të drejtë vote; Mbi 910 mijë vjedhje e të dhënave personale dhe përdorim i paligjshëm i tyre për fushatën elektorale të PS”.

“Partia Demokratike i kërkoi Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që t’i verifikojnë vetë këto prova pranë institucioneve të ndryshme, por shumica e kërkesave u refuzua. Nga 19 kërkesa që zbardhin gjithë aktivitetin e shtetit në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve, KAS pranoi vetëm të verifikojë të dhënat për shenjat e gishtave të votuesve në Gjirokastër, të cilat nxjerrin, nëse votuesit kanë votuar më shumë se 1 herë”, thuhet në një njoftim për shtyp të PD.

“Ja 19 kërkesat e PD, që duhet të zbardhnin, nëse është shkelur ligji nga partia në pushtet me përdorimin e shtetit përmes legalizimeve, punësimeve, fondit të rindërtimit për tërmetin, ndihmave me ushqime, vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave personale”, thekson më tej PD.

“Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore dhe fazën e tyre;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme për numrin e procedimeve penale lidhur me krimet zgjedhore në prokuroritë e rretheve dhe fazën e tyre;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për numrin e shtetasve të ndaluar, të arrestuar dhe numrin e rasteve të referuara për krime zgjedhore;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit mbi gjendjen e rezervave të shtetit në depozitat qëndrore dhe lokale për cdo muaj nga Dhjetor – Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Inspektorati Qendror dhe të gjitha inspektoriatet që veprojnë në Shqipëri për numrin e inspektimeve të kryera në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021; për numrin e gjobave dhe sanksioneve të vendosura; numrin e sanksioneve/gjobave të revokuara me vendim administrativ/vendim gjyqësor;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia e Prokurimeve Publike për numrin e tenderave, koncesioneve, PPP-ve të shpallur rishtazi apo për të cilat janë shpallur fituesit në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Këshilli Kombëtar i Teritorit për numrin e lejeve të ndërtimit të dhëna në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Agjencia Shtetëror e Kadastrës për numrin e lejeve të legalizimit të dhëna sipas qarqeve në periudhën 24 Dhjetor 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile mbi numrin e shtetasve shqiptarë që ndryshuan adresat e banimit në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Departamenti i Administratës Publike për numrin e punonjësve të institucione publike, vendore apo qendrore, dhe si ka ndryshuar, sipas qarqeve, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga 61 bashkitë e vendit, agjencitë e varësisë dhe shoqëritë në pronësi të shtetit apo bashkive, për numrin e punonjësve të institucioneve publike, vendore apo qëndrore, dhe si ka ndryshuar, për periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe 61 bashkitë e vendit lidhur me numrin e familjeve që kanë përfituar ndihmë ekonomike dhe ndryshimin e masës ekonomike, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me fazën e hetimeve lidhur me bërjen publike të të dhënave të 910 mijë qytetarëve të Tiranës;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga INSTAT mbi numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë; numrin e shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut; dhe numrin e këtyre shtetasve mbi moshën 18-vjec;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë mbi numrin e personave të infektuar me COVID-19 në datën 25.04.2021 sipas qarqeve;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit mbi numrin e shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në Shqipëri në periudhën 19.04.2021 – 25.04.2021 nga Republika e Greqisë dhe Maqedonia e Veriut; listën e plotë të këtyre personave;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga OSHEE mbi të gjitha shpërblimet që u janë punonjësve të kësaj kompanie shtetërore, sipas qarqeve, në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e një informacioni zyrtar nga KESH mbi numurin e personave të punësuar në periudhën 1 Janar 2020 – 1 Maj 2021;

Marrjen e të dhënave të kryqëzuara ndërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik PEI për zonën zgjedhore Qarku i Gjirokastrës”, thekson PD.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.