Shionogi & Co do të hedhë në treg vaksinën kundër COVID-19

TOKIO, 12 maj /ATSH-DPA/ – Prodhuesi japonez farmaceutik Shionogi & Co, njoftoi se mund të hedhë në treg këtë vit vaksinën kundër koronavirusit.

Në një konferencë për shtyp në internet, presidenti i kompanisë, Teshirogi Isao, tha se nëse e lejojnë kushtet, ata mund të përfundojnë prodhimin e vaksinës kundër COVID-19 këtë vit dhe ta hedhin atë në treg.

“Kompania dëshiron të kontribuojë për të mbajtur nën kontroll pandeminë COVID-19 sa më shpejt të jetë e mundur përmes investimeve të forta”, tha Teshirogi.

Nëse prodhohet dhe hidhet në treg, vaksina Shionogi do të jetë vaksina e parë kundër COVID-19 e prodhuar në Japoni.

Prodhuesi japonez është në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për rregullimin e testeve që përfshijnë përcaktimin e efektit dhe sigurisë së vaksinës.

Shionogi ka përfunduar linjën e prodhimit për sasinë e dozave që do të mbulojnë vaksinimin e dhjetë milionë njerëzve në vit.

Kompania synon të rrisë kapacitetin e linjës së saj të prodhimit./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.