Rindërtimi në Kamzë/ Rama: Do të vijojë pa pushim deri kur familja e fundit të gëzojë shtëpinë e re


TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kamzë, ku vazhdon kthimi në shtëpitë e reja për banorët e dëmtuar nga tërmeti.

“Puna ka vijuar dhe do të vijojë pa pushim deri kur familja e fundit mes mijërave që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të gëzojë shtëpinë e re. S’ka kohë për pushim”, tha Rama.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Kamzës, vizitoi banesat e reja të dy familjeve që kanë përfituar shtëpi më të mëdha dhe më të forta se më parë.

“Erdha ta shoh të përfunduar, se nuk e besonit kur erdha herën e parë”, iu drejtua Rama kryefamiljarit.

Kryeministri theksoi se, “ne e fituam mandatin e tretë dhe do të vijojmë të ndërtojmë shtëpitë e të gjithë banorëve të prekur nga tërmeti”.

“Ne e fituam mandatin e tretë. Këtu në Kamzë akoma luftojnë komunizmin, por ne do t’ia bëjmë të gjithëve shtëpitë nuk ka rëndësi për kë kanë votuar e si kanë votuar”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli tha se procesi i rindërtimit po ecën me ritëm të lartë dhe vetëm në Paskuqan janë 75 shtëpi të reja që përfundojnë brenda muajit. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.