Realizohen 45 % e punimeve në Porto Romano-Durrës/ Balluku: Në fund të shtatorit përfundon i gjithë segmenti


TIRANË, 12 maj/ATSH/ Avancojnë punimet për ndërtimin e lotit 3 të segmentit Porto Romano-Durrës, një segment i rëndësishëm i cili lehtëson aksesin drejt portit të ri të mallrave dhe të gjithë zonën ekonomike.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Belinda Balluku e shoqëruar nga kreu  ARRSH-së, Ergys Verdho inspektoi sot ecurinë e punimeve.

“Tashmë kantieri ka marrë formë dhe shtrati i rrugës është i dukshëm. Rrethrrotullimi pranë EcoParkut është në përfundim. Deri tani ka përfunduar 45 % e vëllimit të punimeve dhe në fund të shtatorit të këtij viti pritet të përfundojë i gjithë segmenti rrugor”, tha ministrja.

Sipas saj, kjo rrugë do të shërbejë edhe për lidhjen me portin e ri që është një projekt për të cilin ka nisur puna. Në zonën e Spitallës, u shpreh ajo, do të kryhet përpunimi i mallrave në një sipërfaqe prej 60 ha.

Zhvillimi i portit të ri, theksoi Balluku, ka lidhje me portin turistik që do të ndërtohet në Durrës nga Emaar Group.

“Kjo kompani ka marrë përsipër ndërtimin e ish-portit të vjetër të Durrësit dhe kthimin në një pikë turistike për të gjithë Mesdheun. Të gjitha këto projekte janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, u shpreh ajo.

Balluku informoi se edhe projekti i EcoParkut po ecën me ritme të shpejta dhe është në fazat e fundit.

“Një vit më parë ishte një situatë dramatike”, u shpreh ministrja.

E gjithë zona, tha ministrja, ka një plan zhvillimi i cili është plan industrial. Në zonën e Spitallës ka përfunduar procedura edhe për ndërtimin e parkut fotovoltaik i dyti më i madhi në vend që do të ndërtohet nga kompania franceze Voltalia, prej 100 megavat ku shteti përfiton 70 megavat.

“Këto investime bëjnë që Durrësi të zhvillohet edhe nga ana urbane duke qenë se nuk ka më ndotjen ambientale”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi se projektet e trashëguara kanë qenë projekte të cilave iu mungonin studimet e forta gjeologjike dhe ato të fizibilitetit për të mos kërkuar më ndërhyrje. Këto, vuri në dukje ajo, kanë bërë që në shumë projekte të ndërhyhet. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.