Pandemia/ Rakacolli: Në varësi të situatës mund të priten ndryshime masash

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, deklaroi se mund të ketë ndryshime të masave në takimin e ardhshëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, mirëpo kjo varet nga statistikat dhe mesatarja e javëve të fundit si edhe të ditëve në vijim pasi shifrat janë dinamike

“Komiteti bën takime të shkurtra edhe online gati përditë. Mendimet që kemi shkëmbyer janë se si paraqitet situata, kujdesi në rritjen e numrave të strukturave nëpër spitale. Po të ishte bërë mbledhja tani, duhet të nxirrnim me numra se sa janë indikatorët për një apo dy javë dhe mbi bazën e ndërthurjes së tyre dhe hetimit epidemiologjik të shohim nëse jemi në rregull me këto masa, a duhet t’i lirojmë apo t’i shtrëngojmë”, u shpreh  Rakacolli.

Duke folur në një studio televizive, Rakacolli theksoi se qytetarët duhet të respektojnë masat, pasi përndryshe ato nuk do të lehtësohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Madje, ajo përmendi se në rast se shifrat rriten dhe kujdesi nuk shtohet, atëherë masat mund të shtrëngohen.

“Do të jemi vigjilentë në kohën e sezonit dhe gjatë kohës, në varësi të situatës mund të priten ndryshime masash, qoftë për mirë qoftë për keq. Mund të ndryshojë situata epidemiologjike, duke shtrënguar masat nëse nuk zbatohen”, tha ajo.

“Nëse vazhdojmë që të kemi kujdesin ashtu siç rekomandojmë, besojmë se do të kemi një verë të këndshme, por për këtë duhet të zbatojmë masat. Sot, me maska, ndoshta më vonë nuk do t’i kemi masat”, u shpreh Rakacolli. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.