Nuk justifikoi pasurinë/ KPA shkarkon nga detyra drejtuesin e prokurorisë Kavajë, Artan Madani

TIRANË, 12 maj /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e prokurorisë Kavajë, Artan Madani.

Prokurori Madani kishte kaluar me sukses Shkallën e Parë të Vetingut, por vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik për kriterin e pasurisë.

Sipas vendimit të KPA, kreu i prokurorisë Kavajë nuk justifikon një apartament dhe 2 llogari bankare në vlerën e 6 milionë lekëve.

Një ditë më parë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me subjektin e rivlerësimit Artan Madani.

Në qëndrimin e tij lidhur me aktet e ardhura nga shteti grek në formën e kërkuar nga ligji, të pranuara në cilësinë e provës nga trupi gjykues në seancën e mëparshme, Komisioneri Publik deklaroi se ato nuk provojnë ndonjë rrethanë të ndryshme nga rrethanat e parashtruara në shkaqet e ankimit, as nuk ndryshojnë qëndrimin e Komisionerit Publik lidhur me çështjen.

Pas konfirmimit të palëve se nuk kanë kërkesa shtesë, kryesuesja e seancës deklaroi mbylljen e hetimit gjyqësor të çështjes dhe i ftoi palët të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Komisioneri Publik deklaroi se edhe pas provave të reja, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit sa i përket kriterit të pasurisë. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Artan Madani.

Përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit kundërshtoi konkluzionet e Komisionerit Publik, duke deklaruar se provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë gjithë procesit, evidentojnë qartazi burimin e ligjshëm të krijimit të pasurisë së tij. Subjekti i rivlerësimit i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit nr. 173, datë 01.07.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi palët, trupi vendosi të zhvillojë sot seancën e shpalljes së vendimit, e cila vendosi shkarkimin nga detyra e drejtuesit të prokurorisë Kavajë, Artan Madani.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.