Kreu i KMSH-së uron besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi sot besimtarët myslimanë dhe shqiptarë kudo që ndodhen për festën e Fitër Bajramit.
“Pas muajit të Ramazanit, muaj ku ndërlidhen përkushtimi e sakrifica, muaj në të cilin qenia jonë u shkëput nga përditshmëria materiale e muajve të tjerë, nesër, të gjithë besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën që kurorëzon sakrificën 30-ditore, dhe siç na ka premtuar Zoti (xh.sh.) në Kur’anin Famëlartë, pas vështirësisë vjen lehtësimi. Bajrami është festë, është gëzim që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër”, thekson Spahiu.
Urojmë, vijon Spahiu, që sikurse në këtë ditë kur ata që kanë më shumë japin për nevojtarët (ZEKATIN), t’i gjendemi përherë pranë të varfërve dhe të angazhohemi vazhdimisht për një shoqëri të drejtë e solidare.
“Sakrifica dhe devotshmëria e muajit të Ramazanit duhet të jetë shembull i angazhimit tonë për adhurimin e Zotit të Gjithësisë, ndërsa solidariteti dhe dashuria që e karakterizojnë festën e Fitër Bajramin të jenë vlera të përhershme të shoqërisë dhe mbarë njerëzimit”, u shpreh Spahiu.
Kreu i KMSH tha se “i lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më. T’u japë shërim dhe ti lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri! Për më të varfrit dhe nevojtarët e shoqërisë tonë, t’ua largojë barrën e rëndë dhe shtrëngimin që sjell skamja. I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithsecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë”.
“Gëzuar Fitër Bajramin me urimet më të përzemërta. Paçim të gjithë së bashku sa më shumë mbarësi e begati në familjet tona dhe në vendin tonë të dashur, Shqipërinë”, – tha Spahiu.
/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.