“Kisha e Shën Mërisë” në Përmet, objekt kulti me destinacion turizmin historik dhe religjioz

TIRANË, 12 maj/ATSH/ “Kisha e Shën Mërisë”, monument kulture i Kategorisë I në fshatin Kosinë të Përmetit është një objekt kulti me destinacion turizmin historik dhe religjioz.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër thekson se kjo kishë e shekullit XII e tipit kryq i brenda shkruar, përbëhet nga narteksit, naosit dhe mjedisi i altarit.

Formimi i kryqit bëhet nga mbulesa me sistem qemeri në brendësi dhe ndërtimi i çatisë në nivele të ndryshme në anën e jashtme.

Narteksi është në formë drejtkëndësh dhe mbulohet me qemer cilindrik me formuese Veri-Jug. Në pjesën qendrore të Naosit vendosen dy shtylla, mure anësore dhe tamburi me kupolën.

Sipas DRTK Gjirokastër, pamjet e jashtme ngarkesa dekorative është shumë interesante; gërshetohen një sërë motivesh të realizuara me tulla në muraturë që formojnë simbole dhe shkronja.

Kisha e “Shën Mërisë” është e njohur jo vetëm si një objekt monument kulture me vlera të rralla kulturore, por dhe arkitektonike. Kisha është e ndërtuar sipas stilit bizantin, vetëm me qemer dhe në anën veriperëndimore ka disa mbishkrime të padeshifruara./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.