Kategoria Superiore U-19/ Zbardhen emrat e 4 skuadrave që shkojnë në gjysmëfinale

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Kategoria Superiore U-19 ka zhvilluar këtë të mërkurë ndeshjet e fazës çerekfinale të këtij sezoni. Tetë skuadrat e grupeve A dhe B u përballën me njëra-tjetrën në fazën play-off, duke përcaktuar kështu edhe çiftet gjysmëfinaliste.

Vllaznia kishte përballë ditën e sotme ekipin e Akademisë së futbollit, në një ndeshje mjaft të luftuar, me Filipin që kalon fillimisht në avantazh shkodranët që në minutën e tetë të takimit. Pjesa e parë mbyllet në favor të Vllaznisë. Fraksioni i dytë i lojës nis vrullshëm, me ekipin e Akademisë së Futbollit që krijon disa raste dhe arrin të gjejë golin e barazimit në minutën e 54-t të takimit, me shtatëlartin Dijar Nikqi. Pak minuta para mbylljes së lojës, pikërisht në minutën e 78-të, Halilaj përmbys rezultatin, duke shënuar për kryeqytetasit golin e dytë të takimit dhe duke i dhënë fitoren dhe biletën për gjysmëfinale ekipit të Akademisë së Futbollit. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-2.

Lezhjanët e Shënkollit mundën me rezultatin 5-1 Skënderbeun, në një sfidë që prodhoi raste të shumta dhe gola. Goli i parë u shënua nga Uku, i cili kaloi në epërsi Shënkollin në minutën e 17-të të takimit, ndërsa 7 minuta më vonë, Marku dyfishon rezultatin për lezhjanët. Daija shënon edhe golin e tretë për Shënkollin, në minutën e 33-të. Pjesa e parë mbyllet në favor të lezhjanëve. Gjatë pjesës së dytë shënohen edhe tre gola të tjerë, me Markun i cili shënon golin e katërt dhe të dytin personal në minutën e 53-të. Selimllari shkurton rezultatin për korçarët në minutën e 74-t, por pa ndryshuar fatin e takimit. Një minutë më pas, Daija shënon dhe golin e pestë për lezhjanët, duke vulosur rezultatin 5-1, me ekipin e Shënkollit që kalon kështu në gjysmëfinale.

Partizani-Elbasani ishte ndeshja tjetër e luajtur në kompleksin “Internacional”, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kategorisë Superiore U-19. Kryeqytetasit fituan me rezultatin 2-0, në një sfidë jo fort të lehtë, me një pjesë të parë që përfundoi pa gola. Koldashi shënoi golin e parë të takimit në minutën e 63-të të takimit, duke kaluar kështu në avantazh të kuqtë, ndërsa Shiba vulos rezultatin në minutën e 82-të të takimit. Partizani është ekipi tjetër që kaloi në fazën gjysmëfinale.

Në Kamëz, ekipi i Tiranës u përball me durrsakët e Teutës, duke i mundur me rezultatin 2-0. Bardheblutë kryeqytetas hapën sfidën që në minutën e pestë të takimit, me Kukën, i cili shënon një gol shumë të bukur, që i dha avantazhin Tiranës. Pjesa e parë u mbyll me shumë raste nga të dyja ekipet, me Teutën që kërkoi në disa raste golin e barazimit. Edhe fraksioni i dytë i lojës krijoi shumë raste, por vetëm një gol, të shënuar sërish nga kryeqytetasit në minutën e 86-të të takimit, që i dha edhe sigurinë Tiranës dhe biletën për gjysmëfinale.

Kështu, çiftet gjysmëfinaliste të Kategorisë Superiore U-19 për këtë sezon janë:

Akademia e Futbollit – Partizani, 19 maj, ora 10:00

Shënkolli – Tirana, 19 maj, ora 10:00.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.