KAS shqyrton kërkesat ankimore/ LSI kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Gjirokastër

TIRANË, 12 maj /ATSH – I. Vata/ Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka nisur shqyrtimin e 18 kërkesave ankimore që kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ankimet po shqyrtohen në bazë të qarqeve. Qarku Gjirokastër është zona e parë zgjedhore që po shqyrtohet nga KAS. Në Gjirokastër ka tre ankimime, PD, LSI dhe kandidati i pavarur i Vetëvendosjes Kreshnik Merxhani. Që të tre kanë kërkuar pavlefshmëri të rezultatit në këtë zonë zgjedhore, ku PS ka marrë 3 mandate dhe PD 1 mandat.

Palët po parashtrojnë arsyet pse kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës. Për këtë qark si PD, si LSI dhe kandidati i pavarur i Vetëvendosjes kanë të njëjtën kërkesë.

Përfaqësuesi i LSI, Altin Kaziaj ka përsëritur urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për karantinimin e detyrueshëm të personave që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia duke thënë se ka ndikuar në pjesëmarrjen dhe rezultatin e votimit në këtë zonë të qarkut Gjirokastër.

LSI kërkon shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Dropull dhe të gjithë qarkun Gjirokastër dhe pretendon se 500 persona, mbështetës të PS erdhën nga Greqia në Shqipëri para zgjedhjeve të 25 prillit dhe disa prej tyre morën detyra në komisionet zgjedhore, qendrat e votimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.