Kamzë/ Vijon rindërtimi i lagjes së re me 21 pallate në Valias, strehohen 280 familje


TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Valias, Kamzë ku po punohet për lagjen e re me 21 pallate ku do të strehohen 280 familje.

Pasi ka përfunduar infrastruktura nëntokësore, kompleksi i godinave të banimit në Valias do të jetë gati në dhjetor së bashku me parkimin, njësitë e shërbimit, shëtitoren, kopshtin, çerdhen dhe shkollën aty pranë.

Kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli informoi se në total do të ndërtohen 280 apartamente me një sipërfaqe ndërtimi prej 30 mijë m2.

“Deri tani familjet janë trajtuar me bonus social dhe kështu do të vazhdojnë deri në momentin që do të futen në apartamente. E gjithë kjo punë është bërë brenda muajit dhe përfundon në dhjetor. Ndërkohë kemi përfunduar kopshtin, ka filluar edhe çerdhja, edhe shkolla”, tha ai.

Suli tha se si kompleks ky do të jetë me të gjitha standardet e një lagjeje bashkëkohore me lulishte, kënde lojërash, park.

Ndërkohë katet nëntokë të godinave janë parashikuar për parkim, ndërsa kati i parë do të jetë i kombinuar, banim edhe dyqane.

Bulevardi do të jetë me trotuare, me gjelbërim e ndriçim dhe e gjithë zona do të jetë e urbanizuar.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.