FOKUS – Netanyahu shpall gjendjen e jashtëzakonshme, KS në takim urgjent

TEL AVIV, 12 maj /ATSH-ANSA-AA/ – Kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Lod, ndërsa sonte në qytetet e përfshira do të mbërrijnë rojat e kufirit nga Judea dhe nga Samaria, shkroi në Twitter kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

”Kam urdhëruar të përdoret një dorë e fortë me shkelësit të rendit dhe ligjit dhe për të rivendosur qetësinë dhe rendin në Lod dhe të gjitha pjesët e vendit sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Netanyahu.

Këshilli i Sigurimit (KS) i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent sot mbi konfliktin në vazhdim midis Izraelit dhe Palestinës, me kërkesë të Tunizisë, Norvegjisë dhe Kinës.

Që nga java e kaluar, tensionet kanë qenë të lartë në Jeruzalemin Lindor, kur kolonët izraelitë u futën në zonë, pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze.

Palestinezët që protestojnë janë vënë në shënjestër të forcave izraelite.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se të paktën 43 palestinezë janë vrarë dhe  300 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës.

Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.