FAO publikon raportin për Europën dhe Azinë Qendrore mbi sigurinë ushqimore

TIRANË, 12 maj /ATSH/ FAO publikoi sot raportin për Europën dhe Azinë Qendrore mbi sigurinë ushqimore, ku ndër të tjera evidenton se, “rajoni po përballet pjesërisht me një rritje të moderuar të pasigurisë ushqimore, vërejtur si parregullsi në ushqim dhe mjaftueshmëri, dhe rritjen e shpejtë të mbipeshës, duke sfiduar aftësinë e saj për të arritur sigurinë ushqimore dhe përmirësimin e cilësisë së ushqyerjes, siç përshkruhet në Objektivin 2 për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG 2)”.

Raporti vjetor, i prodhuar bashkërisht nga FAO, Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën (UNECE), Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Programi Botëror i Ushqimit (WFP), Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), ofron një analizë gjithëpërfshirëse mbi cështjen, duke përfshirë të gjitha format e kequshqyerjes, modelet aktuale dietike dhe kostot e dietave për individët, shoqërinë dhe planetin.

“12 muajt e fundit kanë treguar se shëndeti ynë dhe funksionimi i sistemeve tona ushqimore janë thelbësore, dhe duhet më shumë përpjekje,” tha Vladimir Rakhmanin, ndihmësdrejtori i përgjithshëm i FAO-s dhe përfaqësuesi rajonal. “Ne të gjithë, duke përfshirë vendimmarrësit, komunitetin e zhvillimit, shoqërinë civile, akademinë, sektorin privat dhe individët, duhet të bëjmë atë që na takon për të arritur Objektivin Zero Urisë, sigurinë ushqimore dhe përmirësimin e cilësisë së ushqyerjes, duke mos lënë askënd pas, dhe duke promovuar bujqësi të qëndrueshme”, tha ai.

“Në varësi të prodhimit dhe vendndodhjes së tyre, fermerët në rajon janë ndikuar nga pandemia COVID-19, veçanërisht në vendet me ekonomi në tranzicion,” theksoi Olga Algayerova, nënsekretare e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe UNECE. “U bëj thirrje qeverive që të vendosin mbështetjen e duhur financiare për fermerët. Gjithashtu, i ftoj ata të përdorin plotësisht procedurat e lehtësimit të tregtisë së OKB-së, për të mbajtur kufijtë e hapur për lehtësimin e qarkullimit të mallrave, në veçanti të produkteve thelbësore siç është ushqimi i freskët”.

Ndër të tjera raporti vëren se, prevalenca e mbipeshës dhe obeziteti është një problem i madh edhe tek fëmijët.

“COVID-19 ka evidentuar se sa të brishtë mund të jenë sistemet ushqimore, dhe sa e rëndësishme është që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh se ku dhe si jetojnë, të kenë qasje në ushqim të sigurt, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”, thekson raporti.

“Nevojiten politika që mbështesin menaxhimin e qëndrueshëm të tokës, zvogëlojnë ndotjen e ajrit, sigurojnë furnizimin me ushqim për popullatat në nevojë, zvogëlojnë humbjen e të korrave dhe kufizojnë emetimet e gazrave serë që lidhen me bujqësinë. Siç theksohet në raportin rajonal: Kërkohet vëmendje e shtuar ndaj një bujqësie të ndjeshme ndaj të ushqyerit që mundëson dietat e shëndetshme. Iniciativat e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe “Nga Ferma në Pirun” janë kornizat e politikave që mund të lehtësojnë këto ndryshime.

Vrulli i krijuar nga pandemia na ofron një shans për të rimenduar sistemet tona ushqimore, ndër çështje të tjera, dhe për të vendosur një transformim për ushqim më të mirë me më pak kosto për mjedisin”.

Ndërkohë, Samiti i OKB-së i Sistemeve Ushqimore do të mblidhet këtë vjeshtë nga Sekretari i Përgjithshëm i KB, duke krijuar një mundësi të më të mirë për adresimin e sigurisë ushqimore. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.