COVID-19 – Rutte: Lehtësime të mëtejshme të mundshme

HAGË, 12 maj /ATSH-AFP/ – Kryeministri holandez Mark Rutte njoftoi lehtësime të ardhshme të masave antiCOVID-19 në vend, nëse rastet vazhdojnë të bien.

Qeveria do të vendosë të hënën nëse raundi i lehtësimeve do të zbatohet, duke filluar nga 19 maji.

Për këtë, shkalla e përdorimit të shtretërve të kujdesit intensiv duhet të ulet me rreth 20%.

Nëse ky kusht plotësohet, kafenetë dhe restorantet do të jenë në gjendje të rihapin tarracat e tyre midis orës 06:00 dhe 08:00 (e krahasuar me 12:00-18:00 aktualisht).

Kopshtet zoologjike dhe sallat e dëfrimit do të jenë në gjendje të rihapin dyert e tyre, në kushte të caktuara, ashtu si edhe sallat sportive dhe pishinat do të jenë në gjendje të rifillojnë aktivitetin e tyre.

“Ne nuk duam asgjë më shumë sesa t’i japim më shumë liri shoqërisë, por as nuk duam të bëjmë gabime, kaq pranë qëllimit”, tha Rutte.

Shtetrrethimi, hyrja në fuqi e të cilit në janar shkaktoi trazirat më të këqija në Holandë në dekada, tashmë është hequr nga 28 prill.

Që nga fillimi i krizës shëndetësore vitin e kaluar, Holanda, që ka një popullsi prej pak më shumë se 17 milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 1,5 milionë raste COVID-19 dhe 17 000 vdekje të lidhura me këtë sëmundje./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.