BSH: Rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik u përshpejtua, projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmi i rimëkëmbjes së aktivitetit ekonomik u përshpejtua dhe perspektiva e zhvillimit ka ardhur drejt përmirësimit gjatë dy tremujorëve të fundit.

BSH thekson se, projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive.

Sipas BSH-së, vijimi i procesit të vaksinimit, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve 2021 dhe 2022.

“Punësimi dhe pagat pritet të vijnë në rritje, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Rimëkëmbja e plotë e ekonomisë dhe rritja e qëndrueshme e inflacionit drejt objektivit duhet të vijojë të mbështetet nga një profil stimulues i politikave ekonomike.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm dhe norma bazë e interesit mbeti e pandryshuar në nivelin 0.5 %. Balanca e rreziqeve mbetet në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, por ajo shfaqet më e balancuar në afatin e mesëm. Duke patur parasysh kahun e rreziqeve, politika monetare do të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm”, thekson në raportin e saj BSH-ja.

Banka Qendrore thekson se, ekonomia pritet t’i rikthehet rritjes duke filluar që nga ky vit. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje.

Në funksion të analizave më të shpeshta dhe më dinamike në kohë, duke filluar nga muaji qershor, Banka e Shqipërisë do të nisë publikimin e vrojtimeve të besimit dhe konsumatorit me bazë mujore, ndërkohë që aktualisht ky publikim bëhet me bazë tremujore. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.