BRUKSEL – Borrell: Përshkallëzimi i dhunës në Lindjen e Mesme duhet të ndalet

BRUKSEL, 12 maj /ATSH-DPA/ – Diplomati i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Gaza, në një deklaratë të bërë sot.

“Përshkallëzimi i rëndë në Izrael dhe Territorin e Pushtuar Palestinez, përfshirë rritjen e madhe të dhunës në dhe përreth Gaza-s, duhet të ndalet”, tha Borrell.

“BE është e tronditur nga numri i madh i vdekjeve dhe plagosjeve civile, përfshirë fëmijët. Përparësi duhet të jetë mbrojtja e civilëve”.

Ai tha se të gjitha përpjekjet duhet të drejtohen në shmangien e viktimave civile dhe mbështetjen e frenimit të përshkallëzimit.

“Hedhja pa kriter e raketave nga Hamas dhe grupe të tjera drejt civilëve izraelitë është e papranueshme”.

“Ndërsa njeh nevojën legjitime të Izraelit për të mbrojtur popullsinë e tij civile, kjo përgjigje duhet të jetë proporcionale dhe me përmbajtje maksimale në përdorimin e forcës”, përfundoi Borrell./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.