Braçe risjell në vëmendje operacionin “Kompleks”: Arsyeja e mbajtjes së armëve pa leje është pandëshkueshmëria

TIRANË, 12 maj /ATSH – I. Vata/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka risjell në vëmendje operacionin “Kompleks”, ku deklaroi se arsyeja e mbajtjes së armëve pa leje është pandëshkueshmëria.

Braçe bënë përgjegjës policët dhe gjyqtarët e korruptuar duke theksuar se duhet të marr fund pandëshkueshmëria.

Në reagimin e tij Braçe shprehet se, “arma në brez ka dysheme 5 vite në burg. Asnjë ditë me pak. Ligji është shume i qarte, kush mban arme pa leje dënohet 5 deri 7 vite burg. Shoh çdo ditë njoftime të policisë për shtetas që kapen me armë pa leje. Në makinë, me vete, në publik. Sa janë dënuar nga këta? Sa janë në burg nga këta”.

“Nuk ka trim që bën 5 vite burg për armën në brez, pa një garanci që nuk mbyllet 5 vite brenda. Ka një treg të viteve të burgut për armëmbajtjen pa leje, ta themi siç është. Nis me policë të korruptuar që tradhtojnë ligjin e kolegët, vijon me prokurorë e gjykatës të korruptuar ende në sistem”, shprehet ai.

Braçe shton se “ky treg duhet shkatërruar me ndëshkim gjithpërfshirës. Patjetër edhe me monitorim e kallëzim të çdo rasti armëmbajtje pa leje që kapet nga policia e që nuk dënohet me 5 vite burg”.

Në kuadër të operacionit të zhvilluar më datë 1 prill, Policia zbuloi 18 baza, gjeti dhe sekuestroi arsenal armësh luftarake të llojeve të ndryshme, snajper, antitanke, kallashnikovë, pistoleta, silenciatorë, radio policie e ushtrie, optikë termikë për snajper, pjesë të ndryshme për modifikimin e armëve luftarake e sasi municionesh  luftarake, 7 automjete, 2 prej tyre të blinduara.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.