Ankimimet e 25 prillit/ Ambasadori i OSBE-së: Kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, deklaroi sot se ka plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare.

Në një prononcim për mediet pas takimit me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, Del Monaco në lidhje me pretendimet e opozitës për krime elektorale në zgjedhje, tha se “mendoj se të gjithë e kemi lexuar raportin e ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it”.

“Kur flasim për ankesat për procesin zgjedhor dhe ngjarjet kriminale që ndodhën gjatë procesit zgjedhor nuk më takon mua të gjykoj. Unë kam plotësisht besim tek autoritetet gjyqësore shqiptare”, vijoi ai.

“Siç ju kujtohet, ditën pas vrasjes në Elbasan, përpara zgjedhjeve, ne bëmë një deklaratë shumë të qartë dhe kemi besim te një hetim i shpejtë dhe se gjyqësori do të bëjë atë që duhet bërë. Kështu funksionon në demokraci”, – tha Del Monaco

“Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë. Po të lexoni mandatin që përfaqëson kushtetutën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, do të shihni se aty ka disa përparësi, duke filluar nga shteti i së drejtës, demokratizimi, proceset zgjedhore, të cilat ndihmojnë shumë në arritjen e përparësive strategjike kryesore të Shqipërisë. Ama pa ngatërruar rolet, pasi unë me shumë krenari përfaqësoj OSBE-në në këtë vend”, – shtoi ai.

Në lidhje me motivimin e Policisë për ndjekjen e krimeve elektorale, Del Monaco tha se, “jam takuar disa herë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me hierarkinë e Policisë së Shtetit, jam takuar disa herë me oficerë policie, pasi mora pjesë në trajnimin që OSBE-ja iu ofroi në prag të zgjedhjeve për ta përgatitur më mirë Policinë e Shtetit në garantimin e sigurisë pranë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë saj. Ne u ofruam trajnim më shumë se 6 mijë punonjësve të policisë. Mesazhi që unë jap ka të bëjë me besimin, me besimin institucional: besoni tek institucionet”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.